Nga Monika Stafa
Ajri është i thatë, i ngrohtë ndërsa era e shirokës nuk shkulet prej xhamave derisa të sjellë shiun. Drejt qiellit të tetorit, jo aq të errët herë me yje e herë jo, Tirana ka arritur më në fund të hedhë vezullimin e saj ngjyrë trëndafili.
Mijra ampula, mijra llamba reflektuese plot ndricim amfore, dritat e vitrinave, tabelat e ndritshme që mbulojnë rrugët kryesore të kryeqytetit të vogël shqiptar që po rritet cdo ditë, bulevardet e vijosura nga llambushkat e gjata apo të shkurtra që lëshojnë makinat luksoze parkuar kudo si pushtonjëse që i sjell koha e pandaltë, hyrjet e bareve, restoranteve deri në agim, disa barake mjerimi që po pakësohen dita -ditës, ateljetë e artistëve, qirinjtë e ndezur të atyre që duan ta presin mbrëmjen si në shek. XVIII, reflekset në ujët e pellgjeve pas shiut, drita në unazat e këmishët e bardha të atyre që kudo ecin; të gjitha këto shkreptima, këto shkëlqime, këto vatra, këto zjarre, këto rreze shkrihen lart përmbi kryeqytet në një kube drite.
Pandemia e Covid- 19 ka përfunduar prej dy vjetësh. Nën një rend të ri globalist, e thënë hapur apo jo, Tirana, jo si ndonjë përjashtim kish rilindur me një shkëlqim tjetër nga ai që lamë pas. Në mes të një rajoni që mbante erë balte prej dekadash kurrë s’kish qenë ndoshta më e lehtë lëvizja e raporteve tregtare dhe e ideve. Ajo njerëzore gjithashtu. Kurrë ndonjëherë nuk ishin derdhur aq shumë para, aq shumë luks, aq shumë vepra arti, ushqim plot shije, verë, fjalë po aq, zbukurimore, stoli dhe ëndrra.
Tirana globalislte. Ajo liberale. E kush e mendonte?!
Doktrinarët e botës mbarë ulërijnë të vërtetën dhe paradoksin në baret dhe bankat televizive. Dhe të rrethuar nga njerëz të ngeshëm, të frymëzuar nga estetë apo nga revolucionarë të përhershëm mbajnë cdo natë panairin më të madh e më të cuditshëm ndaj inteligjencës që është parë në historinë tonë shqiptare.
Një bollëk i pafundëm kryqëzatash mendimi. Po kush ka të drejtë?
Si në çdo cikël edhe pas 100 vjetësh bota pas epidemisë do presë luftën. Ukraina, ca zjarre inkadeshente në Ballkan dhe së fundmi ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme. Njerëzimi, megjithëse i përfshirë në protesta ku njëra palë kundërshton tjetrën, paralajmëron se me zhvillimin e një revolucioni të ri mendimi apo çfarëdo, paraja medoemos duhet të lëvizë. Pas kësaj një epokë e re lumturie na pret.
A do ishte në fakt?
Tirana është më shumë se kurrë sot një shoqëri që po i nënshtrohet suksesit. Ndoshta dhjetë apo njëzetë oligarkë kanë monopolin e pushtetit që rishqyrtohet parreshtur; të pasurisë, të hirit dhe talentit. Ata mund të krahasohen mjaft mirë me margaritarët që janë shumë të modës gjithëherët; ka nga ata të vërtetë, të punuar me falsitet por dhe të çuditshëm. Disa prej tyre, vezullime njerëzore që nxihen brenda disa muajve dhe të tjerë në treg që u shtohet vlera cdo ditë.
E vërteta është se asnjë prej tyre nuk e ka shkëlqimin e fortë të gurit të çmuar; të gjithëve u ndihet ajo shndritja e turbullt e prodhimit prej sekrecionit të detit kur perla del nga guaska.
Ka të tjerë. Më poshtë tyre që i rrethojnë me admirim. Ata qëndrojnë mes nevojtores dhe famës. Në përpjekje për të kapur kohën e tyre.
Janë dhe burrat e brezit që po mbaron ngadalë. Ata që vendi u duket sikur po perëndon bashkë me ta dhe me ato arritje në një truall ku rrota e karrocës ngjiste në pellg balte e braktisej aty. Ata që moda u duket e tepruar, mënyra sesi sot të rinjtë jetojnë dhe dashurojnë gjithashtu.
Të lëshuar dhe të pa fre. Ata që gjithë sjelljet e pahijshme dikur u dukeshin vese duke i shtypur brenda vetes ose i kishin fshehur diku thellë si, homoseksualiteti, drogat, format e ndërlikuara apo të mbrapshta të erotizmit. Ndaj dhe sot në dënimin që të vjetrit u bëjnë të rinjve ka dhe pakëz zili.
Ata që veprat e artit të kohëve të fundit u duken të padenja dhe teoritë e reja të botës si shprehje e barbarisë. Globalizmin, liberalizmin, vlerat universale në të cilat duhet të mbrohet njerëzimi i regjistrojnë me interes por nuk shkulen së pyeturi se përse i duhen kullat Tiranës kur ne nuk kemi ende ujë në banesa. Ata që përparimet e shkencës i ndjekin herë me një krenari plot habi, e herë me një ndjenje pakënaqësie se si këto shpikje teknologjike erdhën kaq befas dhe pushtuan botën e tyre. Dhe kjo rrëmujë për ta e prish kënaqësinë e një moshe ku zemra u kërkon një korridor më të qetë qytetërimi duke i hedhur epokës një vështrim rreth e rrotull, se ky zjarr artificial i ç’rregullt nuk do të zgjasë shumë dhe sigurisht nuk do të mbarojë mirë.
Ti mund të ngrije supet por megjithatë po të mendoje pak më shumë në qëndrimin e tyre kupton se ka dhe diçka tjetër përtej atij marazit të përhershëm të pleqve të urtë.
Mes shoqërive midis viteve 2010 dhe 2023 ishte hapur një e carë më e thellë dhe më e sigurt sesa ajo mes shoqërive të 1990-ës dhe 2010-ës… Bota ka shkuar për dreq, thonë ata. Cfarë janë duke bërë me ne?!
Brenda kaq pak viteve Shqipëria është plakur sa në një shekull. Do të ishte padyshim shekulli i saj i fundit i varfërisë dhe i mjerimit. Edhe me ikjet e të rinjve. Edhe me tokat lënë djerrë. Edhe me pagat minimaliste. Kjo është arsyeja përse kjo etje e madhe për të rrojtur mirë dhe me bolllëk, (të pangopur me para) që ka pushtuar Tiranën quhet shpesh një babëzi prej ojnamadhi.
Të rinjtë ja hedhin përgjegjësitë brezit më të vjetër për gjithë të këqijat e tyre të dukshme e të parashikueshme, për vështirësitë e tyre të ditës apo dhe për mënxyrat e turbullta të së nesërmes. Rendi i vjetër që ata kishin trumbetuar në një sistem që mpiu mendimin i lëshoi në rrugë. Ashtu, të panginjur.
Ndaj sot çdo njeri në vetë vatrën e rrezeve që lëshon Tirana e Re çdo mbrëmje ka zgjedhur me dëshirë të ndjekë tunelin e jetës së tij. Si një udhëtar i pavetëdijshëm nën kubenë e madhe të dritës ku nuk shquan gjë tjetër veçse trotuarin e errët përballë tij.