Tirana ka bërë një hap para këtë fundjavë, duke fituar 3-1 në Durrës ndaj Teutës vendase, një triumf që do të qetësojë disi ujërat e trazuar në të cilët lundronte, të paktën përkohësisht edhe pse jo matematikisht.
Fitorja e thellë në “Niko Dovana” sigurisht iu përmirëson golavarazhin bardhebluve kryeqytetas, por jo renditjen në tabelën e klasifikimit të Kategorisë Superiore pas javës së 29 të saj.
Oduamadi i dha epërsinë kryeqytetasve, ndërsa Hasani dyfishoi me qetësi brenda zonës. Bregdetarët rihapën sfidën me Kamara, por goli nga distanca i kapitenit bardheblu, Karabeci, iu siguroi 3 pikë miqve.
Tashmë mbijetesa duket disi më afër, duke qenë se distanca me Kastriotin e vendit të parafundit është thelluar në 6 pikë, pikërisht për shkak të fitores në Durrës të bardhebluve shoqëruar me humbjen e krutanëve në Korçë.
Skënderbeu arriti ndaj tyre një fitore me vlera, në një ndeshje ku “ujqërit e dëborës” shënuan plot 4 herë. Muzaka, Oto Xhon dhe dy herë Krasniqi ndëshkuan ekipin krutan, që mbetet i parafundit në Superiore, një vend që të zbret në kategorinë inferiore. Ndërkohë, për Skënderbeun, Europa është 4 pikë larg.
Më herët u luajtën edhe takimet Kukësi-Flamurtari 1-2 dhe Luftëtari-Laçi 1-0.