Nga Gjergji Kajana
Në 21 nëntor 2019 Forumi Evropian Rinor, platformë masive përfaqësuese e dhjetëra organizatave rinore të Kontinentit të Vjetër, zgjodhi Tiranën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022. Angazhimi për kandidaturën e kryeqytetit në Ballkan çohej bashkarisht para prej 2018-s nga Kongresi Rinor Kombëtar shqiptar e Bashkia Tiranë. Qëllimi kryesor i eventit vjetor është nxitja e pjesëmarrjes sociale rinore në kuadrin e fuqizimit të një identiteti evropian. Organizatorët kanë shpërndarë një pyetësor i hartuar posaçërisht për të pyetur të rinjtë mbi njohjen e pritshmëritë nga eventi dhe nëpër shkolla kanë mbajtur sesione informuese për nxënësit mbi këtë manifestim.
Mesazhi i Tirana 2022 përçohet përmes 8 linjash programatike që propozojnë moshën e re si prodhuese e ekonomisë krijuese e novacionit (vëmendje e veçantë mbi rëndësinë e sipërmarrjeve), kulturës, zhvillimit të kapaciteteve, pjesëmarrjes (veçanërisht në qeverisjen lokale), diversitetit e respektimit të multikulturalizmit, përkatësisë në kulturën e Bashkimit Evropian (mes aktiviteteve të parashikuara në event bën pjesë edhe një Model i Parlamentit Evropian), lidhja e shëndetit me mjedisin përreth, hapësirat rinore. Parashikohet të mbahen rreth 1000 aktivitete (konferenca, workshop dhe takime mbi kulturën, pjesëmarrjen rinore, shëndetin e krijimtarinë, festivale), kalendari i të cilave do të publikohet në 15 mars. Një theks i shtuar parashikohet të vihet edhe mbi punësimin e botën dixhitale, në një qytet që do të kthejë Piramidën (një nga ndërtesat më të famshme ndërtuar gjatë komunizmit) në një qendër inovacioni teknologjik të dallueshme në Ballkan.
Dekada e fundit sheh Shqipërinë në ngjitje në kuadrin e ofertave turistike, me Tiranën – qyteti më i madh (rreth 900.000 banorë) e më i pasur (prodhues i rreth 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto) i vendit – vendosur në krye të këtij protagonizmi. Kryeqytet i vendit prej 102 vjetësh, ajo ofron 300 ditë me diell në vit, është selia e studimeve të rreth 65% të studentëve të vendit dhe pëqendron fuqinë ekonomike në sektorët e telekomunikacionit, shërbimeve, ndërtimit, tregtisë, industrisë e transportit. Tirana ofron tërheqje historike si Shtëpia me Gjethe (muzeu më i ri shqiptar dhe në 2020 fitues i një çmimi të Këshillit të Evropës si muzeu më i mirë i atij viti), objekte të ndryshme kulti, Sheshin Skënderbej të pedonalizuar si pikë të pagabueshme referimi (sunduar nga statuja e Gjergj Kastriotit dhe treg festash në periudhën e ndërrimit të viteve), një Kala të rijetësuar nga dyqanet gastronomike e turistike, Pazarin e Ri si treg gastronomik, hapësirën kulturore Shtëpia Studio Kadare dhe një park të vogël kombëtar në Dajt të arritshëm me teleferik. Aktivitetet kulturore gjatë vitit janë të ndryshme dhe përfshijnë një festival të xhazit, artit urban, kinematografisë dhe një panair të librit. Në 2021-shin panairi ekonomik ndërkombëtar i Tiranës mbërriti në edicionin numër 27; në të rreth 70% e sipërmarrjeve pjesëmarrëse ishin të huaja dhe mes sektorëve të përfaqësuar ishin edhe ai agroushqimor e i energjisë diellore.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, në fund të tremujorit të tretë 2021 shkalla e punësimit rinor në Shqipëri arrinte në 53.5% të fuqisë punëtore 15-29 vjeç dhe papunësia në 19.9%, rezultatet më të mira – të çertifikueshme brenda këtij anketimi – prej tremujorit të tretë 2017. Shqipëria ka miratuar një ligj dhe krijuar një agjenci shtetërore për të mbështetur politikat rinore.
ARTIKULLI ORIGJINAL ËSHTË BOTUAR ITALISHT NË UEBSAJTIN E SHOQËRISË SË BIZNESIT BALCANDO, ME THEMELUESE AVOKATEN FABIOLA ISMAILI DHE OFRUESE E KONSULENCËS LIGJORE, FISKALE, MARKETINGUT E NDËRKOMBËTARIZIMIT.