Bind Tirana, zhgënjen Teuta. U mbyll me një fitore të thellë të bardhebluve që nuk ishte aq e thjeshtë sa e tregon rezultati dhe me një barazim 1-1 mes Teutës dhe Flamurtarit, java e 19-të e Kategorisë Superiore. Vijon momenti pozitiv për Tiranën e Ardian Memës që mori fitoren e dytë rresht në kampionat dhe të tretën radhazi përfshirë edhe Kupën e Shqipërisë.
Në “Selman Stërmasi” bardheblutë mposhtën 4-1 me përmbysje një rivale direkte në garën për mbijetesë si Kamza duke iu larguar disi fundit të renditjes me Tiranën që tashmë ka 5 pikë më shumë se Kamza e vendit të 9-të. Në kryeqytet sfida nisi më i mirë për miqtë të cilët krijuan disa mundësi të mira dhe pasi humbën një mundësi të shkëlqyer me Plakun ishte pikërisht ish sulmuesi i Skënderbeut dhe Tiranës ai që i dha epërsinë skuadrës së Gjokës me Plakun që shfrytëzoi gabimin e Imamit në minutën e 31-të.
Megjithatë nuk vonoi shumë dhe erdhi edhe reagimi i bardhebluve të cilët 10 minuta më vonë fituan një 11-metërsh me anë të Asanit. Për protesta dhe një ofendim ndaj gjyqtarit Meta, mbrojtësi i Kamzës Beqiri mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë të tijët me një lojtar më pak.
Gjithsesi Avdyli arriti të ndalte anglezin Michael Ngoo nga pika e bardhë e penalltisë. 11-metërshi i humbur nuk demoralizoi Tiranën që hyri në fushë me një mentalitet tjetër në pjesën e dytë duke realizuar 4 gola për një përmbysje të madhe dhe një fitore të rëndësishme.
Shifrat i barazoi Edon Hasani në minutën e 59-të, ndërsa në të 65-ën, Ngoo shleu gabimin e 11-metërshit të humbur duke kaluar në avantazh Tiranën. Në minutat e mbetura bardheblutë realizuan dhe dy herë të tjera me Edon Hasanin dhe Albi Dokën për të mbyllur gjithçka me shifrat 4-1.
Në Niko Dovana, Teuta nuk e përballoi dot presionin duke u ndalur nga Flamurtari që ka 1001 probleme me rezultatin 1-1. Golit të Idi Bathës nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 13-të, iu kundërpërgjigj talenti Traore në të 26-ën, ndërkohë që Flamurtari luajti me një lojtar më pak që nga minuta e 58-të, kur Veliu u ndëshkua me karton të kuq.
Vlonjatët mund të ishin ndëshkuar nga goli ishit të madh të sfidës Tomislav Busic i cili u aktivizua në pjesën e dytë, por finalizimi i sulmuesit kroat ishte në pozicion jashtë loje. Deri në fund Teuta nuk arriti të përmbyste shifrat duke mos ruajtur dot ritmin e Partizanit dhe duke treguar se nuk është ende gati për të rivalizuar për titullin kampion.