Aktualitet Tirana në ‘shtetrrethim’ për samitin e procesit të Berlinit: Rrugët që do...

Tirana në ‘shtetrrethim’ për samitin e procesit të Berlinit: Rrugët që do bllokohen

1604 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës do të jenë në terren të hënën e 16 retorit, kur në Tiranë do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga dhe kreu i Gardës së Republikës, Gramoz Sako kanë bërë me dije masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti ndërkombëtar.

Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij samiti, policia ka përcaktuar perimetrin e sigurisë së këtij eventi, rrugët e të cilës do të jenë të bllokuara prej orës 20:00 të mbrëmjes së të dielës deri në 20:00 të mbrëmjes së të hënës.

Gjatë kësaj kohe edhe bizneset private do të jenë të mbyllura.

Kufizim të lëvizjes do të ketë dhe në akset ku do të kalojnë delegacionet pjesëmarrëse në Samit. Bllokimi i tyre do të kryhet në dy fasha orare gjatë ditës së hënë.

Kështu, rrugët që do të jenë të bllokuara janë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – ura e Dajtit deri te sheshi Nënë Tereza, bulevardi “Bajram Curri nga kryqëzimi me rrugën e Elbasanit deri tek kryqëzimi i rrugës Ibrahim Rrugova, Rruga Papa Gjon Pali II – ETC – RTSH – stadiumi, rruga Ismail Qemali deri te rruga e Elbasanit, rruga Mustafa Matohiti.

Sipas Bizhgës, në këto zona do të lejohet vetëm qarkullimi në këmbë i banorëve rezidentë. Ndërsa në rrugën “Papa Gjon Pali II” nuk do të lejohet as qarkullimi i këmbësorëve.

Gjithashtu për garantimin dhe sigurinë e aktivitetit, Policia e Shtetit tha se ka bashkëpunuar me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në vend dhe me organizma ndërkombëtare si Europoli për shkëmbimin e informacionit.

“Po bashkëpunojmë me Bashkinë e Tiranës, Autoritetin Portul të Rinasit, Policinë bashkiake, shërbimin zjarrfikës dhe qendrën spitalore të Tiranës”, – vijoi Bizhga.

Siguria parashikohet të jetë e lartë, sepse bëhet fjalë për një event që zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Europian.