Të fitosh titullin kampion te Partizani nuk mjafton. Pas Skënder Gegës në vitin 2019, edhe Giovanni Colella largohet nga drejtimi i stolit vetëm pak ditë pasi festoi trofeun.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, “Demat” kanë konfirmuar divorcin me teknikun italian.
“Trajneri largohet nga Partizani pas një viti të suksesshëm ku arriti së bashku me skuadrën objektivin madhor, titullin kampion. Falenderojmë për kontributin misterin Colella, që largohet nga Shqipëria si trajneri kampion. I bëjmë me dije se dera e Partizanit do të mbetet e hapur për bashkëpunime të tjera në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Italiani mori drejtimin e “Demave” gjatë gushtit të verës së kaluar dhe udhëhoqi skuadrën drejt fitimit të titullit kampion, i 17-ti në historinë e klubit kryeqytetas.
42 ndeshje regjistroi Colella si trajneri i Partizanit, me një bilanc pozitiv prej 24 fitoresh, 8 barazimesh dhe 10 humbje. Colella bëhet zyrtari i radhës që largohet nga Partizani pas titullit kampion, pas drejtorit sportiv, Elton Marini.
Partizani bëhet klubi i 9-të nga 10 skuadrat e Superligës që kryen ndryshime në pankinë në këtë sezon, ku i vetmi i mbijetuar në stol është Orges Shehi nën drejtimin e Tiranës.
Duke nisur nga ndeshjet e Champions, skuadra do t’i besohet kroatit me pasaportë gjermane, Tomislav Stipić. Aktualisht, 43-vjeçari drejton Rigën në Letoni, duke regjistruar edhe një ecuri mbresëlënëse me 17 ndeshje pa pësuar humbje. Stipić është sugjeruar nga ish-mbrojtësi i Kombëtares, Adrian Aliaj dhe firma e tij pritet në orët në vijim.