Një tjetër ditë e keqe përsa i përket numrit të viktimave si pasojë e koronavirusit është regjistruar në Britaninë e Madhe.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar bën me dije se në 24 orët e fundit u regjistruan në spitalet e vendit 888 viktima si pasojë e virusit Covid-19 duke e çuar në 15 464 numrin total të humbjeve të jetës në shtetin ishullor.
Gjithashtu një rritje të ndjeshme ka dhe numri i të infektuarve të rinj, i cili me 5500 rastet e 24 orëve të fundit ka shkuar në mbi 154 mijë.
Sekretari Robert Jenrickt bëri me dije në një deklaratë për shtyp, se deri tani në Britaninë e Madhe janë testuar mbi 460 mijë persona për të parë nëse janë të infektuar me koronavirus.