Bota Tjetër bilanc tragjik nga koronavirusi në SHBA. Ulet bilanci i viktimave në...

Tjetër bilanc tragjik nga koronavirusi në SHBA. Ulet bilanci i viktimave në Spanjë

Të paktën 2700 persona të prekur me koronavirus kanë ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë 24 orëve të fundit, duke shënuar një tjetër ditë tragjike.

Deri tani, në SHBA kanë humbur jetën 44 mijë persona të prekur me Covid-19, të paktën sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar pacientët e prekur nga koronavirusi që të mos përdorin përzierjen e rekomanduar nga presidenti Donald Trump si një trajtim të mundshëm kundër virusit vdekjeprurës.

Sipas ekspertëve, një studim i fundit tregon se miksimi i ilaçit kundër malarjes idrossiclorina dhe antibiotikut azitromicina mund të jetë toksik.

Ulet bilanci i viktimave në Spanjë

Autoritetet shëndetësore në Spanjë raportuan 435 jetë të humbura në 24 orët e fundit si pasojë e pandemisë së koronavirusit, duke e çuar në mbi 21 500 numrin total të viktimave. Edhe pse me numra të vegjël, humbjet e jetës vijojnë të ulen në Spanjë.

Nga ana tjetër janë regjistruar 4 211 të infektuar të rinj me virusin vdekjeprurës për një total prej 208 mijë persona të prekur nga Covid-19.

Ndërkohë, 85,915 pacientë janë konfirmuar si të shëruar nga sëmundja, ndërsa 7,705 ndodhen në gjendje të rëndë.