Kryeministri britanik Boris Johnson pësoi një tjetër disfatë të mërkurën, kur ligjvënësit britanikë të partisë së tij dhe të opozitës miratuan një projektligj që e ndalon planin e tij për shkëputje nga Bashkimi Evropian muajin tjetër pa një marrëveshje.
Dhoma e Komuneve miratoi me 329 vota pro dhe 300 kundër një projekt-ligj që mund të vonojë shkëputjen nga BE-ja për tre muaj në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e re mbi kushtet e ndarjes.
Projektligji kalon tani në Dhomën e Lordëve ku pritet të përballet me taktika vonuese. Deputetët pro-Brexitit janë betuar të përdorin manovra proceduriale për ta bllokuar miratimin e masës ligjore me fjalime të gjata deri sa të skadojë afati i miratimit.
Kryeministri Johnson thotë se Britania duhet të shkëputet nga BE më 31 tetor, me ose pa marrëveshje. Ai i bëri thirrje udhëheqësit të laburistëve të opozitës, Jeremy Corbin të mbështesë një propozim për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më 15 tetor.
Të mërkurën, më herët, Kryeministri britanik Boris Johnson tha para parlamentit se nuk ka alternativë tjetër, përveçse të zhvillojë zgjedhje të reja pasi një grup ligjvënësish ia morën situatën nga duart zotit Johnson lidhur me Brexitin.
Kryeministri u vu përballë këtij skenari, pasi një grup ligjvënësish sfiduan qëndrimin e tij për të përmbyllur daljen e Britanisë nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje. Kryeministri Johnson tha se zgjedhjet e reja ishin e vetmja rrugëdalje.
Të martën, me 328 vota pro dhe 301 kundër në Dhomën e Komuneve, ligjvënësit arritën të marrin në dorë situatën lidhur me Brexitin.
Ligjvënësit që nuk iu bindën qëndrimit të kryeministrit përfshinin në radhët e tyre anëtarë të opozitës si dhe të vetë Partisë Konservatore të zotit Johnson, përfshirë edhe ligjvënësin Philip Lee, i cili në mënyrë dramatike u ngrit gjatë seancës dhe shkoi të ulej me liberal demokratët e opozitës.
Edhe nëse ligjvënësit arrijnë të bllokojnë planet e kryeministrit, ka plot peripeci të tjera deri në përmbylljen e Brexitit. Zhvillimi i zgjedhjeve të reja brenda këtij viti është skenari më i mundshëm i manovrave parlamentare që zhvillohen në bazë të rregulloreve të vjetra të traditës politike britanike. Ka gjasa që rezultantja të jetë një përçarje brenda Partisë Konservatore dhe formimi i një partie të re.