Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord të ri të rasteve më koronavirus. E enjtja u bë dita me numrin më të lartë të infektimeve që prej shpërthimit të pandemisë, me mbi 53 mijë raste të regjistruara.
Teksasi është prej shteteve që po shënon rritjen më të theksuar, e kjo shtyu guvernatorin Greg Abbott të urdhërojë mbajtjen e maskave në publik.
Direktiva aplikohet për kontetë me 20 ose më shumë raste që përbëjnë edhe shumicën e vendit. Shteti jugor preku një rekord prej më shumë se 8 mijë rastesh në ditë të mërkurën.
“Një prej mënyrave më të mira për t’i mbajtur të hapura bizneset, duke ngadalësuar njëkohësisht përhapjen e virusit është mbajtja e maskës. Studimet mjekësore kanë sugjeruar se mbajtja e maskës e ngadalëson përhapjen, ju mbron ju dhe familjarët”, tha Greg Abbott, Guvernator i Teksasit.
Të gjithë ata që do të refuzojnë mbajtjen e maskës do të gjobiten me 250 dollarë. Teksasi bëhet një prej 21 shteteve që e bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskës.
Amerikanët bëhen gati të festojnë 4 korrikun, ditën e Pavarësisë, me disa plazhe në zonat bregdetare që do të mbyllen dhe shfaqjet e fishekzjarreve do të anulohen.
Në rang kombëtar, deri më tani, janë infektuar mbi 2.7 milionë vetë, ndërsa viktimat janë mbi 128 mijë.
Niveli i infektimit është rritur në 4 prej 50 shteteve amerikane dhe jo gjithmonë numri i lartë i testeve të kryera është përgjegjës për këtë.
Rihapja e shteteve nxiti punësimin me ritme rekord e megjithatë numri i të papunëve vijon të jetë tepër i lartë. Në rang global koronavirusi ka prekur mbi 10.8 milionë njerëz në të gjithë botën, ndërsa viktimat janë 520 mijë.