8 persona kanë humbur jetën ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja në juglindje të Turqisë mëngjesin e kësaj të diele, pas një tërmeti 5,7 të shkallës Rihter, në kufi në me Iranin.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë mbërritur menjëherë pranë zonave më të prekura nga tërmeti. Mes 8 viktimave, 3 janë fëmijë, ndërsa me dhjetëra janë personat e mbetur të plagosur sipas ministrit të brendshëm, Sulejman Sojllu.
Ai shtoi se nga tërmeti janë shembur 1066 ndërtesa.
Televizionet turke kanë publikuar pamje të godinave të shembura apo në momentet kur ato shemben, ndërsa mijëra banorë kanë dalë në rrugë, në mot ekstremisht të ftohtë, në dëborë e temperaturë nën zero gradë.
Qendra Europiane Mesdhetare Sizmiologjike tha se tërmeti ishte regjistruar në thellësinë 5 km.
Nga ana e tyre, zyrtarët iranianë thonë se tërmeti është ndjerë shumë i fortë edhe në Iran, por deri në këto momente nuk raportohet për viktima.
TRT turke raporton se tërmeti i mëngjesit të kësaj të diele është ndjerë në 43 fshatra e zona të banuara të juglindjes së Turqisë, e cila ka një të shkuar të frikshme me tërmetet e fuqishme.