Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për ish-drejtorin e Kadastrës së këtij qyteti, Klodian Troci. Ky i fundit u arrestua dy ditë më parë si organizator i një skeme të tjetërsimit të pronësisë së tokave shtetërore në zonën turistike të Dhërmiut.
Gjatë kontrollit në banesën e Trocit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 65 mijë euro si dhe dhjetëra formularë të marrjes së tokës në pronësi, që falsifikoheshin nga Troci.
Më herët, Gjykata vendosi arrest me burg edhe për drejtorin e administrimit dhe mbrojtjes se tokës Bardhyl Gjika, i cili dyshohet se realizonte skemën e tjetërsimit të pronave në bregdet së bashku me Trocin.
Si pasojë e kësaj skeme dyshohet se janë kryer shitje të tokave në Dhërmi në një vlerë që shkon deri në 5 milionë euro. Madje për të fshehur këtë skemë mashtrimi nga drejtuesit e institucioneve që kishin për detyrë zbatimin e ligjit për pronësinë e tokave, është inskenuar para disa ditësh edhe vjedhja e zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillin e qarkut të Vlorës, ku janë grabitur dosjet e tokave për të cilat janë falsifikuar dokumentet e tjetërsimit të pronësisë, nga shteti tek individë të caktuar.
Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, i akuzuari Klodian Troci nuk ka dhënë asnjë deklaratë në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij.