Politika “T’ka ik hunda shtrembër, vetëm ti mos fol për drogë”, Rama: Katran...

“T’ka ik hunda shtrembër, vetëm ti mos fol për drogë”, Rama: Katran partia ma theu hundën dhe kafkën në ‘97-ën

Në rubrikën “Sy m’Sy”, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi, i cili i ka shkruar në rrjetin social Facebook: O t’ka ik hunda shtremër, vetëm ti mos fol për drogë. Përmes një video-reagimi, Rama thotë se kockën e hundës nuk e ka drejtë teksa akuzon eksponentë të opozitës për dhunë ndaj tij në vitin 1997.

“Në fakt jo i dashur Ardit, por po është e vërtetë që këtë kockën e hundës nuk e kam drejtë sepse pikërisht ajo katran partia që ta ka mbushur mendjen ty se unë jam drogaxhi, siç e shkruan, duke ta përsëritur disa herë derisa shpifja të duket si e vërtetë, ky quhet lavazh truri, ma ka thyer hundën bashkë me kafkën këtu mbrapa dhe më ka çarë dhe buzën këtu me leva dhe doreza hekuri. Ti mbase je i ri dhe se ke idenë e piramidave të Sudes dhe Rrapushit që ju grabitën shqiptarëve të gjitha kursimet me bekimin e katranit të madh të asaj partisë që të ka mësuar dhe ty që të thuash dhe të shkruash se unë jam drogaxhi.

Ishte viti 1997 dhe unë mblidhja firma nga shoqëria civile për një peticion për dorëheqjen e qeverisë së asaj kohe që të shmangej ajo katastrofë kur më dolën në pritë në mes të errësirës dhe baltës të tmerrshme të dimrit në Tiranën e asaj kohe, ishte Janar si tani dhe më lanë në rrugë mbuluar në gjak dhe të nesërmen, doli një klloun i katran partisë si puna e këtij Gazment ziut të sotëm dhe tha do të ketë qenë rrezik për punë të ndonjë femre. Epo s’ka më keq Ardit se të thuash për tifozllëk politik “fluturon gomari” duke u përdorur si top balte në luftën e pisët për pushtet të disa të tjerëve”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama i jep një këshillë qytetarit teksa thotë se opozita në Shqipëri është një politikë turpi me sharje-shpifje si askund tjetër në Ballkan dhe në Europë.

“Unë nuk kam asgjë me ty, por një gjë ma dëgjo po deshe: Nuk ka nevojë që të më duash mua dhe as të votosh për mua që të jesh dinjitoz dhe të respektosh veten dhe sa më shumë ta respektojnë veten e tyre njerëzit e zakonshëm si ti duke mos imituar këtë modelin e katran politikës, por duke ruajtur dinjitetin dhe në kundërshti, aq më shumë shtohen shanset që kjo politikë turpi për Shqipërinë, një turp me sharje-shpifje si askund tjetër në Ballkan se në Europë as që bëhet fjalë, t’i hiqet më në fund shoqërisë dhe ta ketë dhe Shqipëria një opozitë dinjitoze dhe jo një çetë sharje-shpifësish që nuk ka thjesht një skuadër dhe një program, por nuk ka as din dhe as iman”, tha Rama.