Nga Yuval Noah Harari
Izraelitët po përpiqen të kuptojnë atë që sapo na ka goditur. Fillimisht e krahasuam katastrofën aktuale me Luftën e Yom Kipur të vitit 1973. 50 vjet më parë, ushtritë e Egjiptit dhe Sirisë filluan një sulm të befasishëm dhe i shkaktuan Izraelit një varg disfatash ushtarake, përpara se Forcat Mbrojtëse të Izraelit të rigrupoheshin, të rifitonin iniciativën dhe të kthenin situatën.
Por teksa shfaqen gjithnjë e më shumë histori dhe imazhe të tmerrshme rreth masakrimit të komuniteteve të tëra, ne kuptojmë se ajo që ka ndodhur nuk është aspak si Lufta e Yom Kipurit. Në gazeta, në mediat sociale dhe në takimet familjare, njerëzit po bëjnë krahasime me orët më të errëta të popullit hebre – si atëherë kur njësitë e lëvizshme naziste të vrasjeve, Einsatzgruppen rrethuan dhe vranë fshatarë hebrenj gjatë Holokaustit apo dhe kur pati “pogrome” (ndjekje dhe vrasje në masë) kundër hebrenjve në Perandorinë Ruse.
Unë personalisht kam familjen dhe miq në kibucit, Be’eri dhe Kfar Aza dhe kam dëgjuar shumë histori të tmerrshme. Hamasi kishte kontroll të plotë të këtyre dy komuniteteve për orë të tëra. Terroristët shkonin shtëpi më shtëpi, duke vrarë sistematikisht familjet, duke vrarë prindërit në sy të fëmijëve të tyre dhe duke marrë pengje, madje edhe foshnja dhe gjyshe. Të mbijetuarit e tmerruar u mbyllën brenda dollapëve dhe bodrumeve, duke thirrur ushtrinë dhe policinë për ndihmë, por që nuk mbërriti derisa, shpesh ishte shumë vonë.
Xhaxhai im 99-vjeçar dhe gruaja e tij 89-vjeçare janë anëtarë të Be’erit. Të gjitha kontaktet me ta u ndërprenë menjëherë pasi Hamasi mori kontrollin e kibucit. Ata u fshehën në shtëpinë e tyre për orë të tëra ndërsa dhjetëra terroristë u tërbuan në masakra. Mora lajmin se ata mbijetuan. Unë njoh shumë njerëz që sapo kanë marrë lajmin më të keq të jetës së tyre.
Halla dhe xhaxhai im janë dy hebrenj të fortë – të lindur në Evropën Lindore në vitet mes dy luftërave, ata tashmë kanë humbur një botë nga Holokausti. Ne u rritëm me historitë për hebrenjtë e pambrojtur që fshiheshin nga nazistët në dollapë dhe bodrume, pa asnjë që vinte për t’i ndihmuar. Shteti i Izraelit u themelua për të siguruar që kjo të mos ndodhte më.
Pra, si ndodhi? Si u zhduk shteti i Izraelit?
Në një mënyrë, izraelitët po paguajnë çmimin e viteve të mendjemadhësisë, gjatë të cilëve qeveritë tona dhe shumë izraelitë të zakonshëm mendonin se ishim aq më të fortë se palestinezët, saqë ne thjesht mund t’i injoronim ata. Ka shumë për të kritikuar në lidhje me mënyrën se si Izraeli ka braktisur përpjekjen për të bërë paqe me palestinezët dhe ka mbajtur për dekada të tëra nën okupim miliona palestinezë.
Kjo nuk justifikon mizoritë e kryera nga Hamasi, i cili në çdo rast ka kundërshtuar mundësitë për një traktat paqeje me Izraelin dhe ka bërë gjithçka ka në dorë për të sabotuar procesin e paqes në Oslo. Kushdo që dëshiron paqen duhet të dënojë dhe të vendosë sanksione ndaj Hamasit dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e plotë të Hamasit.
Për më tepër, pavarësisht se sa faj i ngarkon dikush Izraelit, kjo nuk e shpjegon mosfunksionimin e shtetit. Historia nuk është një përrallë morali.
Shpjegimi i vërtetë për mosfunksionimin e Izraelit është populizmi dhe jo çdo imoralitet që supozohet. Për shumë vite, Izraeli është qeverisur nga një njeri i fortë populist, Benjamin Netanyahu, i cili është një gjeni i marrëdhënieve me publikun, por një kryeministër i paaftë. Ai ka preferuar vazhdimisht interesat e tij personale mbi interesat kombëtare dhe e ka ndërtuar karrierën e tij në ndarjen e kombit kundër vetvetes. Ai ka emëruar njerëz në poste kyçe bazuar tek besnikëria më shumë se tek kualifikimi, ka marrë meritat për çdo sukses, duke mos marrë kurrë përgjegjësi për dështimet dhe duket se i jep pak rëndësi thënies apo dëgjimit të së vërtetës.
Koalicioni i krijuar nga Netanyahu në dhjetor 2022 ka qenë deri tani më i keqi. Është një aleancë e zelltarëve mesianë dhe oportunistëve të paturpshëm, të cilët injoruan problemet e shumta të Izraelit – duke përfshirë situatën e përkeqësuar të sigurisë – dhe u përqendruan tek rrëmbimi i pushtetit të pakufizuar për veten e tyre. Në ndjekje të këtij qëllimi, ata adoptuan politika jashtëzakonisht përçarëse, përhapën teori skandaloze konspirative për institucionet shtetërore që kundërshtojnë politikat e tyre dhe etiketuan elitat në shërbim të vendit si tradhtarë të “shtetit të thellë”.
Qeveria u paralajmërua vazhdimisht nga forcat e saj të sigurisë dhe nga ekspertë të shumtë se politikat e saj po rrezikonin Izraelin dhe po gërryenin parandalimin izraelit në një kohë kërcënimesh të jashtme në rritje. Megjithatë, kur shefi i shtabit të IDF-së kërkoi një takim me Netanyahun për ta paralajmëruar për implikimet e sigurisë të politikave të qeverisë, Netanyahu refuzoi ta takonte. Kur ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ngriti alarmin, Netanyahu e shkarkoi. Më pas ai u detyrua të rivendoste Gallant vetëm për shkak të shpërthimit të zemërimit popullor. Një sjellje e tillë gjatë shumë viteve mundësoi që fatkeqësia të godasë Izraelin.
Pa marrë parasysh se çfarë mendon dikush për Izraelin dhe izraelito-palestinezët në konflikt, mënyra se si populizmi gërreu shtetin izraelit duhet të shërbejë si një paralajmërim për demokracitë e tjera në mbarë botën.
Izraeli ende mund ta shpëtojë veten nga katastrofa. Ai ende gëzon një avantazh vendimtar ushtarak ndaj Hamasit, si dhe ndaj shumë armiqve të tjerë të tij. Kujtimi i gjatë i vuajtjeve hebreje tani po nxit kombin. IDF dhe organet e tjera shtetërore po shërohen nga tronditja e tyre fillestare. Shoqëria civile po mobilizohet si kurrë më parë duke plotësuar shumë boshllëqe të lëna nga mosfunksionimi i qeverisë. Qytetarët po qëndrojnë në radhë të gjata për të dhuruar gjak, për të mirëpritur refugjatët nga zona e luftës në shtëpitë e tyre dhe për të dhuruar ushqime, rroba dhe gjëra të tjera të nevojshme.
Në këtë orë nevoje, ne gjithashtu u bëjmë thirrje miqve tanë në mbarë botën të na qëndrojnë pranë. Ka shumë për të kritikuar mbi sjelljen e Izraelit në të kaluarën. E kaluara nuk mund të ndryshohet, por shpresojmë që pasi të sigurohet fitorja mbi Hamasin, izraelitët jo vetëm që do t’i kërkojnë përgjegjësi qeverisë sonë aktuale, por gjithashtu do të braktisin komplotet populiste dhe fantazitë mesianike – dhe do të bëjnë një përpjekje të ndershme për të realizuar idealet themeluese të Izraelit për demokracinë në vend dhe paqen jashtë vendit.
*Yuval Noah Harari është autor i “Sapiens”, “Homo Deus” dhe “Unstoppable Us” dhe profesor i historisë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.