Grupet e kërkim-shpëtimit arritën të gjejnë trupin e personit të gjashtë që humbi jetën në rrëshqitjen masive të tokës 4 ditë më parë në Ask të Norvegjisë, ndërsa kërkimet janë duke vazhduar, pasi dyshohet se edhe 4 persona të tjerë ndodhen nën rrënoja.
Rrëshqitja e tokës ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës kur shtëpitë u shkatërruan duke u mbuluar nga dheu, rreth 15 milje në verilindje të Oslos.
“Kemi 5 ekipe që janë në terren. Ata po bëjnë një punë shumë të vështirë”, tha kreu i operacionit Goran Syversen.
Mbreti Harald, së bashku me bashkëshorten e tij dhe princin e kurorës, vizituan zonën të dielën, ku ndezën qirinj për viktimat në një kishë. “Kjo ngjarje është e tmerrshme dhe na prek të gjithëve”, tha Mbreti.
Si pasojë e rrëshqitjes së tokës mbetën të plagosur edhe 10 persona, ndërsa rreth një mijë të tjerë janë evakuuar tashmë me frikën se rrëshqitja e tokës mund të vazhdojë.