“Ndryshimi i klimës nuk mund të ndalet nëse vazhdon degradimi i tokës”, thuhet në një raport të fundit, ku theksohet sesi dheu ka tri herë më shumë karbon sesa në atmosferë, e se ai po lëshohet nga shpyllëzimi e dobësimi i bujqësisë.
“Një situatë e tillë është duke nxitur ndryshimin e klimës e po kompromenton përpjekjet tona për të ushqyer një popullsi botërore në rritje”, theksojnë autorët e studimit.
Problemet përfshijnë gërryerjen e tokës, duke llogaritur këtu edhe impaktin e makinerive, ndërtimet apo vërshimet e ujërave. Dëmtimi i dheut ndikon te klima në dy mënyra: kompromenton rritjen e bimëve që thithin karbonin nga atmosfera dhe çliron karbonin e tokës që më parë ruhej prej krimbave, të cilët tërheqin gjethet nëntokë.
Paralajmërimi vjen nga Platforma Ndërqeveritare e Politikës së Shkencës mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit, një panel që studion përfitimet e njerëzve nga natyra. Paneli, i cili do të mblidhet këtë javë, synon t’i vendosë në unison qeveritë e botës kur vjen fjala te nevoja për mbrojtjen e sistemeve natyrore.