Aktualitet Toka së shpejti 40 për qind më e nxehtë nga parashikimi

Toka së shpejti 40 për qind më e nxehtë nga parashikimi

Bota do të nxehet aq shumë në pesë vitet e ardhshme saqë ka 40 për qind gjasa që të kapërcejë përkohësisht kufirin e temperaturës që po përpiqet të parandalojë marrëveshja e klimës në Paris.

Një parashikim i ri i Organizatës Botërore Meteorologjike për vitet e ardhshme parashikon gjithashtu një shans prej 90% që bota të vendosë një tjetër rekord për vitin më të nxehtë deri në fund të vitit 2025 dhe që Atlantiku të vazhdojë të prodhojë uragane që pritet të jenë më të rrezikshëm se ato të kaluarat.

Për këtë vit, meteorologët thonë se sipërfaqe të mëdha toke në Hemisferën Veriore do të jenë 0.8 gradë Celsius më të ngrohta se sa dekadat e fundit dhe se thatësira e Jugperëndimit të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë.

Marrëveshja e e Parisit për klimën e vitit 2015 përcaktoi një objektiv për të mos ta kaluar ngrohjen më shumë se një gradë. Raporti tha se ka një mundësi 40% që të paktën një nga pesë vitet e ardhshme të jetë 1.5 gradë Celsius më i lartë se kohët para-industriale –më ambiciozi i dy objektivave të Parisit. Bota tashmë është 1.2 gradë Celsius më e ngrohtë se kohët para-industriale.

Vitin e kaluar, i njëjti grup parashikoi një shans prej 20% që një gjë e tillë të ndodhte.

Dyfishimi i gjasave është llogaritur falë përmirësimeve në teknologji që tregojnë se toka “në fakt që tani është më e nxehtë nga sa kishim menduar”, veçanërisht në rajonet polare, tha Leon Hermanson, një shkencëtar i klimës në Qendrën Met Center të Mbretërisë së Bashkuar i cili ndihmoi për të bërë parashikimin.

“Është një sinjal që duhet të ndërmarrim veprime të forta,” tha zoti Hermanson.

Shkencëtari për klimën në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, Michael Mann, i cili nuk ishte mes autorëve të raportit, tha se ai është “pothuajse i sigurt” që bota do të tejkalojë pragun e ngrohjes përcaktuar në Paris të paktën një herë në vitet e ardhshme. Por ai tha se një ose dy vjet mbi 1.5 gradë Celsius nuk është aq shqetësuese krahasuar me mundësinë që prirja e përgjithshme e temperaturave të qëndrojë mbi atë nivel.

Prof. Mann tha se kjo ndoshta nuk do të ndodhë për dekada me radhë dhe se ende mund të parandalohet.