Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e 7 pasurive të Guxim Zenelajt, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.26 datë 06.10.2023 ka vendosur ndërmjet të tjerave konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:
1- Pasuria me nr. 674, zk.1952, Tokë në Porto Palermo, Himarë- Vlorë, me sipërfaqe 1000 m²;
2- Pasuri e ndodhur, në ZK.1987, me numër pasurie 3/670-B9, vol.29, faqe 163, bodrum me sipërfaqe 16 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë;
3- Pasuri e ndodhur në ZK.1987, me numër pasurie 3/670-B10, vol.29, faqe 164, bodrum me sipërfaqe 15 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë;
4.Pasuri e ndodhur në ZK.1987, me numër pasurie 3/670-N1, vol.29, faqe 186, njësi me sipërfaqe 218.06 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë;
5- Pasuri e ndodhur në ZK.1987, me numër pasurie 3/670+1-10, vol.29, faqe 196, apartament me sipërfaqe 60.36 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë;
6- Pasuri e ndodhur në ZK.1987, me numër pasurie 3/670+1-18, vol.29, faqe 204, apartament me sipërfaqe 67.35 m2, në Ishull-Shëngjin Lezhë;
7- Pasuri e ndodhur në ZK.1987, me numër pasurie 3/670+1-55, vol.29, faqe 241, apartament me sipërfaqe 51.35 m2 në Ishull-Shëngjin Lezhë”, njoftoi SPAK.
Konfiskimi i pasurive të ish-gjyqtarit erdhi pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme.
Sipas SPAK ai akuzohet për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë.
Ai u tërhoq nga sistemi i drejtësisë përpara se të përballej me procesin e vettingut. Por në fund ai u përjashtua për 15 vite nga sistemi i drejtësisë sipas parashikimeve të ligjit.
Në vitin 2016, ai deklaroi në deklaratën e pasurisë 18 apartamente dhe tre njësi ndërtimore në Ishull Shëngjin, Lezhë.
Si burim për krijimin e pasurive të paluajtshme, gjyqtari referoi një kontratë me një kompani të caktuar, por nuk dha të dhëna se sa është vlera e kontratës si dhe për burimin e parave që mbulojnë vlerën e kontratës.
Po ashtu ai deklaroi 30 mijë Euro të ardhura nga dhënia me qira e një lokali dhe ambienteve për banim në Shëngjin.