Sport Tom Brady hyn në histori, fiton trofeun e 7 të Super Bowl...

Tom Brady hyn në histori, fiton trofeun e 7 të Super Bowl me Tampa Bay

Në SHBA u zhvillua të dielën, mbrëmja e madhe e Super Bowl, e cila pa rekordmenin e NFL-së, të fitonte titullin e shtatë të karrierës, në moshën 43-vjeçare. Tom Brady, quarterback-u që mban çdo rekord të futbollit amerikan, vërtetoi edhe një herë se është më i miri i të gjithë kohërave.

Tampa Bay Buccaneers fitoi trofeun prestigjioz të Super Bowl, duke mundur thellë me rezultatin 31-9 në finalen e madhe rivalët e Kansas City Chiefs. Një ndeshje, zhvilluar në “Raymond James Stadium”, që nuk pati histori, ndërkohë që protagonist absolut i këtij suksesi mbetet Tom Brady.

Tom Brady ishte thjesht fantastik dhe falë tre touchdown-eve të realizuar u shpall MVP-ja i finales. 43-vjeçari arriti suksesin e shtatë personal në një finale të tillë, duke vendosur një rekord absolut. Asnjë skuadër e NFL, nuk ka kaq shumë tituj në Super Bowl sa ka fituar Brady i vetëm si sportist. Në nëntë paraqitjet e mëparshme me New England Patriots, ai e kishte fituar gjashtë herë trofeun, ndërsa këtë herë dëshmoi se mund ta fitonte edhe pa trajnerin e mëparshëm Bill Belichick.

Brady e nisi karrierën si lojtar rezerve në vitin 2001 dhe u fut në lojë pas dëmtimit të lojtarit kryesor. Që pas atij episodi aksidental, Tom Brady nuk u ndal më kurrë, duke u bërë i vetmi njeri që mban 7 unaza super bowl-i, simbol i fitores së madhe. Brady e kaloi karrierën me ekipin dinasti The New England Patriots, të cilët e lanë të shkonte vitin e shkuar për shkak të moshës 42-vjeçare. Gabim, i cili u vërtetua me triumfin e mbrëmjes së 7-shkurtit. Tom Brady nuk ka ndërmend të ndalet.

Kuriozitete

Për skuadrën e Buccaneers ky është titulli i dytë pas atij të fituar në vitin 2003, i ardhur në një sezon të vështirë, të kushtëzuar nga pandemia e Covid-19, në të cilin u luajt çdo ndeshje. Në finale ishin të pranishëm 25,000 spektatorë, 7.500 të zgjedhur midis personelit shëndetësor të vaksinuar kundër COVID.

Ishte hera e parë e një arbitreje femër, Sarah Thomas. Hera e parë dhe me shpresë e fundit në një Super Bowl që luhej në pandemi, me protokollet shëndetësorë për tu memorizuar si skemat për secilin lojtar. Spektakli mes pushimit të dy pjesëve pati si protagonist këngëtarin kanadez The Weeknd.

Para fillimit të ndeshjes, himni amerikan u interpretua nga Eric Church dhe Jazmine Sullivan, dhe në pushimin e pjesës së parë, ishte momenti i The Weeknd, i cili performoi një ndërthurje të hiteve të tij. Gjatë interpretimit të “Can’t Feel My Face” dhe “Blinding Lights”, ai dhe balerinët ishin të fashuar në fytyrë. Mund të dukej si një masë mbrojtëse kundër Covid, por në të vërtetë kishte një kuptim simbolik. “Kokat e fashuara reflektojnë në kulturën absurde të VIP-ve të Hollywood-it dhe njerëzve që manipulojnë veten për arsye sipërfaqësore për t’u ndjerë të kënaqur dhe të pranuar”.

Eric Church dhe Jazmine Sullivan kënduan himnin kombëtar, ndërsa poetja e re Amanda Gorman performoi para hedhjes së monedhës. Momenti i vetëm në të cilin Chiefs kanë luajtur në mënyrë të barabartë. Pastaj Tampa vendosi diktatin dhe ai hyri në skenë, Tom Brady, nga sot e më shumë një nga sportistët më të mirë të çdo epoke, përtej futbollit amerikan.

Trajneri Bruce Arians, 68 vjeç, u bë trajneri më i vjetër që fitoi Super Bowl. Ai më parë fitoi titullin në vitin 2006 me Pittsburgh Steelers në 2006 si trajner i pranuesve dhe në vitin 2009 si koordinator i sulmit.