Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, u shpreh në mbledhjen e kësaj të enjteje të Komitetit Teknik të Ekspertëve se gjatë kësaj periudhe në vend, janë duke qarkulluar 3 variante të koronavirusit, Omicron, Delta dhe gripi sezonal.
Duke u bazuar në rastet e reja, Tomini theksoi se jemi në pikun më të lartë të pandemisë që ka nisur prej gati dy vitesh.
“Incidenca javore është tepër e rritur. Kjo rritje i atribuohet qarkullimit të dy varianteve, Delta dhe Omicron, por njëkohësisht i atribuohet edhe grumbullimeve për festat e fundvitit. Duhet të themi se aktualisht qarkullon edhe virusi i gripit. Të tria variantet po bëjnë një qarkullim në nivele të larta.
Kjo nuk është reflektuar në shtrimet në spital, ku kemi një qëndrueshmëri shtrimesh.
Kjo incidencë e lartë gjatë kësaj periudhe ka reflektuar edhe pikun më të lartë të gati dy viteve në Shqipëri”, tha Tomini.