Sandro Tonali ka vendosur bast edhe për ndeshje të Milanit dhe tani rrezikon një vit pezullim.
Mesfushori i Newcastle, skuadër ku u transferua në verë për 80 mln euro, ka pranuar përpara prokurorëve se ka vënë baste. Madje edhe ndeshje të kuqezinjve, ish-skuadrës së tij.
Veprim ky që përkeqëson shumë pozitat e 23-vjeçarit. Nëse bastet për Milanin do të konfirmoheshin, dënimi fillestar për Tonalin do të ishte 3 vjet.
Lojtari, sot te Newcastle, në fakt do të kishte luajtur bast për fitoren e Milanit ose në çdo rast në rezultate të tjera kur ai nuk ishte në fushë. Me pak fjalë, bastet e tij nuk do të kishin ndikuar në asnjë mënyrë performancën e tij në fushë, kështu që nuk ka asnjë shkelje sportive.
Prandaj, për momentin, shkelja e pretenduar ndaj Tonalit mbetet brenda kufijve të nenit 24 të Kodit të Drejtësisë Sportive, i cili dënon lojtarët që vënë baste në futboll (minimumi tre vjet dënim), por është e qartë se vënia e basteve për Milanin përbën një rëndim të situatës.
Dënim që do të përgjysmohej prej marrëveshjes së pranimit të fajësisë. Teksa mesfushori mund të përfitonte disa rrethana lehtësuese nga fakti që ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me autoritetet.
Kështu që dënimi përfundimtar i Tonalit mund të jetë rreth 12 muaj skualifikim në fushë dhe 6 muaj dënime alternative, duke qenë se ish-milanisti ka deklaruar gjithashtu se vuan nga varësia ndaj lojërave të fatit.
Ndërkohë, juventini Nicolo Fagioli, i cili pranoi fajësinë dhe arriti marrëveshje me prokurorinë, pranoi një skualifikim prej 7 muajsh dhe 5 muaj dënime alternative.