Sandro Tonali është zyrtarizuar si lojtari më i ri i Newcastle. Klubi i Premier League arriti akordin me Milanin mbi bazën e 70 milionë eurove + 10 të tjera në formë bonusesh.
Mesfushori do të jetë pjesë e Newcastle deri në vitin 2028, kontratë nga e cila do të përfitojë 8+2 milionë euro në sezon.
“Ishte një udhëtim i bukur. Familja kuqezi të uron më të mirat”, lexohet në komunikatën përshëndetëse të Milanit, ndërkohë që klubi ishullor i uron mirëseardhjen.
“Jemi të lumtur të njoftojmë nënshkrimin e Sandro Tonalit nga AC Milan. 23-vjeçari ka rënë dakord për një kontratë fillimisht deri në vitin 2028. Mirë se vjen te Newcastle United, Sandro!”, shkruajnë bardhezinjtë.
Vetë lojtari, i cili ëndërronte të kthehej në një simbol te Milani, skuadra e tij e zemrës, theksoi se shpreson se kjo të jetë vetëm një mirupafshim dhe jo lamtumirë nga kuqezinjtë.
“Sot e gjej veten këtu me një përzierje emocionesh në zemrën time. Siç e dini, unë kam vendosur të nis në një aventurë të re dhe një sfidë të re.
Falënderoj klubin që më mirëpriti dhe më dha mundësinë të jem pjesë e këtij klubi të jashtëzakonshëm, i cili është dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia ime.
E kuptoj që kjo lamtumirë mund të zgjojë emocione të përziera dhe është normale kur lë një pjesë të madhe të zemrës.
Por është e rëndësishme të mos harroni se në futboll, si në jetë, ndryshimet ndonjëherë janë një arsye rritjeje për të gjithë.
Nuk do t’i harroj kurrë koret e Curva Sud, titullin e 19-të, të gjitha momentet e mrekullueshme të përbashkëta dhe dashurinë për Milanin tonë.
Ju uroj të gjithëve, klubit dhe tifozëve, më të mirën për të ardhmen dhe jam i sigurt se do të bëni akoma gjëra të mëdha së bashku.
Një përqafim i ngrohtë, me shpresën se nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim. Forca Milan”.
Tonali zhvilloi 130 ndeshje me Milanin, shënoi 7 gola dhe fitoi titullin kampion sezonin e kaluar. Ku ishte një nga protagonistët kryesorë në suksesin e madh.