Tony Blair, ish-kryeministër britanik, që ka çuar trupat ushtarake në luftë në Afganistan më 2001, e ka konsideruar tërheqjen ushtarake të Perëndimit nga ky shtet si “të rrezikshme” dhe “të panevojshme”.
Blair ka thënë më 21 gusht se Rusia, Kina dhe Irani do të “përfitojnë” nga largimi ushtarak i Perëndimit, pas 21 vjetëve të luftës dhe sulmeve terroriste.
Blair i ka bërë këto komente në një deklaratë të publikuar në faqen e tij Fondacioni Tony Blair për Ndryshime Globale.
“Braktisja e Afganistanit dhe njerëzve të tij është tragjike, e rrezikshme, e panevojshme dhe nuk është as në interesat e tyre, as në tonat”, ka vlerësuar ai në komentet e para publike rreth krizës, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.
Ai ka shtuar se “pyetja që duhet bëhet nga aleatët, por edhe nga armiqtë është se ‘a e ka humbur Perëndimi gatishmërinë e tij strategjike?’”
“Si lider i shtetit tonë, kur kemi marrë vendim që t’iu bashkohemi Shteteve të Bashkuara për të rrëzuar talibanët nga pushteti – e kush ka parë shpresat e mëdha për atë se çfarë mund të arrihej për njerëzit dhe botën – e di më mirë se shumëkush sa të vështira janë vendimet e udhëheqësive dhe sa e lehtë është që të kritikohesh dhe sa e vështirë është të jesh konstruktiv”.
Ai i ka bërë thirrje Perëndimit “që të evakuojë dhe t’i strehojë ata për të cilët ka përgjegjësi – ata afganë që na kanë ndihmuar, kanë qëndruar afër nesh dhe kanë të drejtë të kërkojnë që t’iu qëndrojmë afër”.