Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, figura kryesore që bëri të mundur ndërhyrjen e NATO-s në ndalimin e gjenocidit serb, do të jetë në Kosovë më 12 qershor. Ditë kjo që shënon edhe Çlirimin e Kosovës.
Pritet që Blair të mbajë fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit, si pikë e parë e rendit të ditës është parashikuar caktimi i një seance solemne.
Tony Blair do u drejtohet me një fjalim qytetarëve të Kosovës.
Në të njëjtën ditë do të inaugurohet dhe statuja e tij në Ferizaj.
Kujtojmë se Blair iu drejtua Parlamentit të Britanisë së Madhe më 23 mars 1999 me fjalët:
”Çdo fshat shqiptar në rajonin e Drenicës është në flakë. Familjet po dëbohen dhe largohen nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Burrat po i ndajnë nga gratë. Ne nuk e dimë se cili është fati i tyre”.
Si i pari lider europian, Tony Blair për shqiptarët do mbahet mend gjithmonë si njeriu kyç që vuri në lëvizje NATO-n kundër regjimit të Millosheviçit në vitin 1999.