Jozefina Topalli, ish-nënkryetare e Partisë Demokratike dhe ish-kryetare e Kuvendit shpjegoi në një intervistë në A2 CNN pse nuk kandidon për kryetare të PD-së, tani që Lulzim Basha dha dorëheqjen.
“Zhvillimet kanë treguar se kjo është një parti që i ka sytë nga Sali Berisha. Çfarë kuptimi ka të garosh në një forcë politike që i ka dhënë besimin Berishës dhe ai ka thënë që do të kandidojë. Berisha ka dëshmuar për të disatën herë që është autoritet i padiskutueshëm në të djathtën shqiptare. Ai nuk është Lulzim Basha që të ketë frikë nga njerëzit që i rrinë afër, se mos i bëjnë hije”, tha Topalli.
Më tej, “thumboi” Bashën: “Unë nuk e kam menduar veten ndonjëherë kryetare. Në politikë nuk mund të jesh pa shtyllë kurrizore sepse njerëzit të dëgjojnë. Njeriu gabon në politikë, por që të mbash qëndrime nga një ekstrem në ekstremin tjetër, për shkak të karrierës tënde, unë refuzoj. Prandaj nuk jam bërë kryetare”.
Ajo mohoi çdo mundësi edhe për të kandiduar për postin e Presidentit të Republikës.
“Ka vite që media flet për këtë. Madje më kanë thënë që jam e shitur te Edi Rama sepse do të bëhem Presidente. Nuk e kam menduar kurrë. Unë jam e bindur se politikani nuk ngjit në kujtesën e njerëzve nga posti”, tha Topalli.
Kur u pyet nëse do të jetë e lehtë për PD-në që të drejtohet nga një person i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Topalli tha: “Shqiptarët, me votimet e fundit, treguan se besimin nuk e lidhin me vendime të marra jashtë Shqipërisë. Eksperienca politike më ka bërë që ta shoh Sali Berishën në të njëjtin pozicion edhe në vitin 1997 dhe është bërë bashkëpunëtori më i besueshëm i SHBA-së, derisa arriti që të fuste Shqipërinë në NATO dhe të liberalizonte vizat”.
Sipas saj, aktualisht “Sali Berisha e ka marrë Partinë Demokratike”.
“Mirë apo keq, kjo parti është e Sali Berishës. Unë nuk do të doja që partia të ishte vetëm e një personi, por ky është realiteti. Unë e kam pasur të qartë gjithmonë, vetëm se të tjerët nuk e kishin të qartë”, u shpreh Topalli.