Opozita është në prag të protestave popullore që ka paralajmëruar, por ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk do shkonte kurrë përkrah LSI-së.
Deklaratën, Topalli e bëri nga emisioni “Mbrëmje Ide” në ABC News. Sipas saj, PD ka gabuar kur ka qeverisur sëbashku me LSI-në.
Jozefina Topalli: Me LSI-në përkrah në protestë nuk shkoj.
Pyetje: Po ju keni qeverisur bashkë?
Jozefina Topalli: Është e vërtetë dhe gabuam për mua. Nëse do jetë çdo gjë imorale në politikë sigurisht kthehet në atë që është sot. Nuk ka rëndësi në mund të jesh më e mira, më e afta, shihe si ka mbaruar universiteti, shihe si ka përfunduar arti. Opozita është kthyer në surrogate.
Partia Demokratike ka përsëritur gjatë gjithë kësaj kohe që nuk mund të ketë zgjedhje kur në qeveri është Edi Rama. Por sipas Jozefina Topallit, ky është një skenar që ajo e ka parë në 2017-n. Madje sipas saj, Basha dhe Rama mund të jenë pjesë e të njëjtës qeveri.
“Nuk gënjej vetën, këtë film e kam parë në 2017-n. Nuk hyj në zgjedhje me Ramën, nuk bëri fushatë, hyri në qeveri me Ramën. Sigurisht dhe mund t’i kesh shumë shpejt bashkë në qeveri. Ata nuk kanë humbur asnjëherë raportin e komunikimit dhe interesit të përbashkët. Do të kemi një qeveri e përbashkët Rama-Basha. Rama do jetë kryeministër. Basha? Kryetar Parlamenti”, tha ish-nënkryetarja e PD-së.