Jozefina Topalli ka qenë e ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ku ka ndarë me publikun një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në vitin 2000 në Vlorë gjatë një fushate elektorale. Ajo tregon se e kanë ndaluar disa persona me kallash dhe ishin në rrezik për jetën.
Jozefina Topalli: Im bir ka pasur disa përjetime të rënda kur ka qenë i vogël. E para kur ka ndodhur një ngjarje në Vlorë, ka qenë shumë i vogël. Në vitin 2000 ishim në fushatën elektorale.
Mirela Milori: PD-ja ishte në ditët e saj më të errëta duhej ngritur.
Jozefina Topalli: Kishte filluar të ngrihej. Unë kam shkuar në që ’97-ën në Vlorë, meqë burrat nuk shkonin, shkoja unë. Nuk ekzistonte Partia Demokratike dhe unë nuk i harroj kurrë ata vlonjatë që në atë klimë që ishte, bashkoheshin dhe më kanë dashur shumë. Edhe unë i kam dashur shumë. Shkuam të bënim fushatë elektorale në periferi të Vlorës dhe një moment të caktuar, dihet vendi ishte me probleme të mëdha, dëgjoj disa të shtëna.
Ç’lidhje kanë me mua, unë isha në makinë, afër meje ishte një zonjë që është mikja më e veçantë vlonjate Dorotea Konomi, është një ndër familjet më të mira. Ishte shoferi, truproja sepse isha nën kryetare parlamenti. Nga të shtënat që po dëgjonim, afrohen 4 veta tek makina dhe na ndalin. Hapën të 4 dyert dhe i vunë kallashin shoferit, kallashin tek koka e bodygardit, dhe kallashi tjetër që ishte afër qafës së Doroteas dhe që vinte tek koka ime. Përpara meje ndaluan dhe makinat e tjera që më shoqëronin nga dega e partisë demokratike në Vlorë. Thyen xhamat e makinës tjetër që ishte përpara. Ku është Jozefina? Jozefina ishte mbrapa. Njëri prej tyre kishte vrarë shumë të tjerë gjatë ’97-ës dhe ai thotë cila është Jozefina Topalli këtu?
I thashë unë jam. Çfarë bën ti këtu më tha, i thashë jam për fushatë. Kujt i ke marrë lejë më tha, s’po dija t’i jepja përgjigje dhe i thashë ju thashë që jam në fushatë dhe më thotë kujt i thua ju, ti? Tek dera ku isha unë nisi të gjuajë me kallash poshtë tek makina, kurse tjetri vazhdonte ma mbante kallashin tek koka.
Mirela Milori: Pate frikë?
Jozefina Topalli: Jo, gjëja e parë që mendova thashë unë nuk mund të shoh më djalin, fëmijët e mi dhe mora celularin për të tentuar të flas me djalin, por pashë që s’kishte valë dhe shpresa ime e fundit dhe e lashë celularin. Pastaj fillova të mendoj për shoferin dhe bodygardin sepse ishin djem të rinj. Mendoja po fati i tyre, mirë që unë jam e angazhuar në politikë, ndërkohë që Dorotea mbante një qëndrim stoik, nuk i lëvizte qerpiku sepse po te lëvizte ajo ne do ishim të shuar në sekondë.
Kjo mua mu duk sikur ka qenë 20 minuta dhe besoj se ka qenë aq. Ndoshta dhe mu duk mua, sepse mu duk sikur nuk po mbaronte kurrë. Ai vazhdonte të bërtiste, të gjuanin mbi makinë, nën makinë, pas 20 minutash më iku kallashi nga koka dhe ja hoqën kallashin atyre të dyve. Shoferi im nisi t’i jepte pak gaz makinës, unë nuk i thosha as jepi as mos i jep sepse asnjëri prej nesh nuk e dinim se çfarë të bënim dhe filluam të ecnim avash-avash me 4 dyert e hapura, po prisja të kërciste plumbi pas koke, por nuk ndodhi dhe pastaj mbyllëm dyert.
Në televizor shkruhej atentat ndaj Jozefina Topallit, në shtëpi Megi me Genarin po luanin. Megi shikon në televizor dhe e lexon me zë të lartë, ky e dëgjon dhe fillon të qajë mama, mama. Nga ai përjetim i keq, ai nuk binte të flinte se thotë kam frikë se mbase nuk e dëgjon baba dhe mbet mami pas dere.