Pas pritjes së madhe, përgjigjja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u dorëzua në Rusi, ashtu siç u kërkua, me shkrim, në një letër. “Topi në fushën ruse”. Në të, Uashingtoni refuzoi pikën më kryesore, që Ukraina të mos anëtarësohej kurrë në NATO.
“Dera e NATO-s do të mbesë gjithmonë hapur dhe ky është përkushtimi ynë”, tha Blinken. Në letrën dërguar Rusisë, janë vendosur të gjitha qëndrimet e Presidentit amerikan, Joe Biden, të Ukrainës dhe aleatëve të NATO-s. Gjithashtu, janë ngritur shqetësimet për veprimet e Moskës, është bërë një vlerësim i kërkesave të Kremlinit, si dhe janë përcaktuar fushat ku palët mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Tani topi është në anën tjetër, atë ruse, dhe hapat e mëtejshëm do të varen nga përgjigjja e presidentit Vladimir Putin.
“Nëse ata do të zgjedhin rrugën e diplomacisë dhe dialogut, ose nëse vendosin të shtojnë agresionin ndaj Ukrainës, ne jemi të përgatitur për çdo skenar”, tha Blinken.
Përgatitja amerikane nuk konsiston vetëm nga pikëpamja ushtarake apo kërcënimet për sanksione, pasi nuk janë vetëm trupat, armët dhe bombarduesit që kanë shqetësuar Ukrainën dhe Perëndimin. Një prej opsioneve që mund të përdorë Rusia është ai kibernetik. Prej kohësh, hakerat nga ky shtet kanë shënjestruar ujësjellësit, rrjetin energjetik dhe sektorët bërthamorë amerikanë.
“Ne po përgatitemi për çdo rast të paparashikuar në përpjekje për të qenë gati për cilëndo rrugë që zgjedh Vladimir Putin”, u shpreh Ned Price, zëdhënësi Departamentit të Shtetit.
Hapi i radhës nuk pritet të jetë lufta. Blinken thotë se do të takohet me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov në ditët në vijim.