Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pritet që në orën 09.00 të shkojë tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Shefi i selisë blu do të dëshmojë para prokurorëve belgë për çështjen “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro .
Më herët kryetari i opozitës ishte shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike, në aferën e pastrimit të miliona eurove, me garanci politike të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së Rilindjes.
Zoti Basha ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet belge dhe ka qenë në prite të rakordimit për mënyrën e bashkëpunimit. Prokurorët belgë që po merren me hetimin e kësaj çështjeje, kanë ardhur në Tiranë për të marrë në pyetje kreun e PD.
Lulzim Basha ka akuzuar publikisht se për futjen e 3.4 milionë eurove në automjetin e “Toyota Yaris”, është i përfshirë deputeti Taulant Balla, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja. Si pasojë e kësaj, kreu i PD është thërritur në Prokurori për nxjerrje të sekretit hetimor.
Më 23 tetor 2018, Basha u shpreh se Prokuroria kishte kërkuar dëshminë e tij për nxjerrjen e sekretit shtetëror për sa i përket futjes së parave të krimit me “Toyota Yaris”. Ky veprim sipas tij dëshmon se deklaratat publike për përfshirjen e Taulant Ballës në këtë çështje janë të vërteta.
Më tej, Basha do të shtonte se në këtë çështje “janë të përfshirë edhe Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja”.
“Prokuroria ka prova të mjaftueshme për të kërkuar menjëherë arrestimin e Taulant Ballës, por e kapur nga pushteti kriminal i Edi Ramës, prokuroria po i kalon lidhjet e pushtetarëve me krimin si sekret shtetëror”, tha atë kohë Basha.