Bota Tradhti brenda Hezbollahut? Khamenei paralajmëroi Nasrallah të largohej nga Libani përpara se...

Tradhti brenda Hezbollahut? Khamenei paralajmëroi Nasrallah të largohej nga Libani përpara se të vritej

Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah të largohej nga Libani disa ditë përpara se të vritej. Lajmi është bërë publik nga agjencia e lajmeve Ruters e cila citon tre burime iraniane. Në bazë të informacioneve të Reuters Irani tani është thellësisht i shqetësuar për infiltrimin izraelit në rangjet e larta të qeverisë në Teheran.

Menjëherë pas sulmit ndaj krerëve të Hezbollahut, Khamenei dërgoi një mesazh, me një të dërguar, duke i bërë thirrje Nasrallahut të largohej nga vendi, duke cituar raportet e inteligjencës pasi Izraeli kishte agjentë brenda Hezbollahut dhe planifikonte ta vriste atë, i tha Reuters një zyrtar i lartë iranian. I dërguari, tha zyrtari, ishte një komandant i lartë i Gardës Revolucionare iraniane, gjeneral brigade i cili ishte me Nasrallah në bunkerin e tij kur u godit nga bombat izraelite dhe gjithashtu u vra.

Frika e Iranit për sigurinë e Khameneit dhe humbjen e besimit, si brenda Hezbollahut, ashtu edhe në Irani dhe mes tyre, u shfaqën në bisedat me 10 burime për këtë çështje, të cilët përshkruan një situatë që mund të komplikojë funksionimin efektiv të aleancës së Boshtit të Rezistencës të Iranit.

Vdekja e Nasrallah ka nxitur autoritetet iraniane të hetojnë tërësisht infiltrimin e mundshëm brenda radhëve të Iranit, nga Garda Revolucionare e fuqishme te zyrtarët e lartë të sigurisë, tha një zyrtar i dytë i lartë Iranian, citon Reuters. Ata janë veçanërisht të fokusuar tek ata që udhëtojnë jashtë vendit ose kanë të afërm që jetojnë jashtë Iranit, tha zyrtari i parë.

Teherani filloi të dyshonte për disa anëtarë të Gardës që kishin udhëtuar për në Liban, tha ai. Shqetësimet u ngritën kur njëri prej këtyre individëve filloi të pyeste për vendndodhjen e Nasrallah, veçanërisht duke pyetur për sa kohë ai do të qëndronte në vende specifike, shtoi zyrtari. Zyrtari i dytë tha se vrasja ka përhapur mosbesim midis Teheranit dhe Hezbollahut, dhe brenda Hezbollahut.

Sakaq, ushtria izraelite njoftoi vdekjen e shtatë ushtarëve të tjerë izraelitë të cilët u vranë në luftime në Libanin jugor të mërkurën, duke e çuar numrin e përgjithshëm që nga fillimi i ofensivës në tetë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se një oficer dhe katër ushtarë nga Njësia Egoz ishin “të plagosur rëndë”. IDF nuk tha se cilat zona në Libanin jugor u vranë ushtarët. Përveç njësisë Egoz, ushtarët kanë shërbyer në Brigadën Golani dhe në Njësinë Yahalom.