Një gjykatë në Ukrainë urdhëroi ngrirjen e pronave të ish-presidentit, Petro Poroshenko, i cili akuzohet për tradhti të lartë dhe se ka ndihmuar separatistët pro-rusë. Poroshenko mohon këto akuza.
“Gjykata ka vendosur që të sekuestrojë pronën e dyshuar, që i takon atij”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përmes një deklarate.
Ndaj Poroshenkos kanë nisur hetime zyrtare për tradhti të lartë, duke e akuzuar atë për “lehtësim të aktiviteteve” për separatistët që luftojnë me forcat qeveritare në konfliktin në lindje të Ukrainës, që shpërtheu më 2014, e që deri më tani ka marrë jetën e mbi 13,200 qytetarëve.
Muajin e kaluar, prokurorët kërkuan nga gjykata ukrainase që ta arrestojnë Poroshenkon dhe të vendosin vlerën prej 37 milionë dollarësh për lirim me kusht.
Poroshenko, që prej dhjetorit të vitit të kaluar, gjendet jashtë Ukrainës dhe ende nuk ka komentuar për vendimin e sotëm.
Ai tashmë është ligjvënës dhe lider i opozitës. Nëse gjendet fajtor për akuzat, ai mund të dënohet deri me 15 vjet burgim.
Poroshenko ka thënë se planifikon që të kthehet në Ukrainë më 17 janar.