Një 25-vjeçar nga Tropoja është vënë në pranga në Kolumbi. I riu Admir Tutaj ishte shpallur në kërkim për trafik armësh kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve, në kohë reale, me partnerët e Interpol Bogota, Kolumbi, u mundësua kapja dhe arrestimi në Kolumbi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit Admir Tutaj, 25 vjeç, i lindur në Tropojë”, njoftoi policia.
Në datën 10 pPrill të vitit të kaluar, policia mundi të sekuestrojë në Portin e Durrësit një arsenal armësh të fshehur në një furgon.
Më saktësisht u gjetën 7 pistoleta, një sasi e madhe municioni luftarak dhe aksesore për armë që dyshoheshin se do të dërgoheshin në Britani nga grupi ku bënte pjesë edhe 25-vjeçari.
Autoritetet shqiptare thonë se po bashkëpunojnë me autoritetet në Bogota me qëllim ekstradimin e të riut drejt Shqipërisë.