Dosja ndaj tre shqiptarëve të përfshirë në trafik droge në Norvegji dhe pastrim parash, është dërguar nga SPAK për gjykim.
Nga hetimet që tashmë janë mbyllur, SPAK ka akuzuar dy vëllezërit Flori dhe Fredi Pali, si dhe Anita Adilajn për prodhim e shitje droge, trafik droge, pastrim parash, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Nga hetimi i SPAK është evidentuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal i dedikuar në fushën e trafikimit, shitjes, ofrimit për shitje, dhënies ose marrjes në çdo formë, shpërndarjes, tregtimit, transportimit, dërgimit, dorëzimit dhe mbajtjes së narkotikëve, si dhe në pastrimin e produkteve të veprës penale para vitit 2018 dhe deri në vitin 2019, në përbërje të të cilit spikasin shtetas shqiptarë rezidentë apo jo në Norvegji.
Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Flori Pali në cilësinë e një organizatori të një grupi të strukturuar kriminal gjatë periudhës kohore Janar 2018 deri në Qershor 2019, në bashkëpunim me të pandehurit e dënuar në Mbretërinë e Norvegjisë Halit Xhini dhe Steven Cooper, si dhe të një rrjeti shpërndarësish të paidentifikuar, në mënyrë të kundërligjshme ka drejtuar trafikimin për në Norvegji, ruajtjen, shitjen dhe shpërndarjen në mënyrë të kundërligjshme në Stavanger të Norvegjisë të paktën sasinë prej 4 kg kokainë dhe 10 kg marijuanë, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
I pandehuri Flori Pali duke qenë në rolin e një drejtuesi të grupit të strukturuar kriminal, ka organizuar transferimin e sasive të konsiderueshme parash nga Norvegjia për në Shqipëri si para vitit 2018, ashtu dhe pas këtij viti me ndihmën e një rrjeti personash, para që transferoheshin ose nëpërmjet shoqërive të ndryshme financiare, ose sillnin “cash” nga shtetas të ndryshëm, ku më pas menaxhoheshin nga i bashkëpandehuri Fredi Pali.
E pandehura Anita Adilaj në vazhdimësi është e përfshirë në tregtinë e drogës në Stavanger të Norvegjisë, si dhe ka patur një rol kyç edhe sa i takon dërgimit të parave nga Norvegjia për në Shqipëri, para këto të ardhura nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në Norvegji nga grupi i strukturuar kriminal.
Kjo e pandehur ka luajtur rolin e llogaritares së të dënuarit në Norvegji, bashkëjetuesit të saj Halit Xhini, në lidhje me paratë që i dërgoheshin të pandehurit Flori Pali dhe detyrimet që kishin ndaj tij.
I pandehuri Fredi Pali ka luajtur rolin e menaxhuesit të parave apo pasurive të fshehura të të pandehurit Flori Pali, në lidhje me paratë e dërguar nga anëtarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal apo shtetas të tjerë nga Norvegjia.
I pandehuri Fredi Pali, vëllai i të pandehurit Flori Palit, ka kryer një rol të rëndësishëm në ciklin e qarkullimit të parasë me qëllim humbjen e gjurmëve dhe fshehjen e tyre.
Më datë 08.05.2023 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sor-Rogaland, Norvegji, ka deklaruar fajtor dhe dënuar me burgim anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal Halit Xhini dhe Steven Cooper për vepra penale në lidhje me narkotikët dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Hetimet paraprake në lidhje me procedimin penal nr.132 të vitit 2019 janë drejtuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe janë zhvilluar në bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe oficerët e shërbimeve të policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.