Agim Çerma nga Lushnja është shndërruar në një nga personazhet kryesorë të ditëve të fundit në mediat kolumbiane.
I njohur me pseudonimin “Xhimi” ne Kolumbi, shqiptari u kap me katër trafikantë të tjerë dhe 333 kilogramë kokainë dhe rreth 450 mijë Euro, gjatë një aksioni të organizuar nga DEA amerikane.
Shqiptari lëvizte në qytetin Palmira i kamufluar si shitës i produkteve kozmetike, por ai është filmuar dhe përgjuar nga agjentët e Antidrogës që e kanë vënë në pranga, të ndihmuar edhe nga DEA.
Çerma ishte garantor i trafikut të drogës me avionë charter në SHBA por edhe Europë. Droga trafikohej drejt Bullgarisë nga fluturimet përmes aeroporteve ndërkombëtare.
Mediat kolumbiane shkruajnë se shqiptari bashkëpunonte me kartelet kolumbiane të drogës në rajonin e Urabá dhe me Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë në pjesën jugperëndimore të vendit për të blerë kokainë dhe për ta transportuar.
Dyshimet janë se shqiptari kishte arritur të korruptonte kontrollorët ajrorë të trafikut që i siguronin nisjen e ngarkesave me kokainë drejt vendeve të Europës.