Në Forumin e Lirisë Ballkanike për trendin aktual të trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan, konferencë e mbajtur në Tiranë, u bënë bashkë Presidenti Ilir Meta, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.
Kreu i shtetit shqiptar, në fjalën e tij, kërkoi që të dënohen trafikantët e qenieve njerëzore, por edhe çdo zyrtar i përfshirë apo bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Presidenti Meta bëri thirrje gjithashtu që duhet të forcohet akoma më shumë besimi tek drejtësia i viktimave të trafikimit për të denoncuar trafikantët e qenieve njerëzore.
“Sikurse parashikohet edhe në strategjinë kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda 2021-2025 dhe planit kombëtar të veprimit për luftën kundër trafikimit të personave 2022-2023, kërkohen garanci parandaluese dhe partneritet, mbrojtje dhe asistencë për viktimat e trafikimit.
Kërkohet hetim dhe ndjekje penale dhe dënim për trafikantët e përfshirë edhe çdo zyrtar bashkëpunëtor sipas parashikimeve të Kodit Penal. Nevojitet një trajnim i vazhdueshëm i Policisë së Shtetit, inspektorëve të punës për prokurorët dhe zyrtarët gjyqësorë, veçanërisht prokurorët e rretheve për hetimin me shpejtësi dhe profesionalizëm dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit.
Është i domosdoshëm shtimi i shërbimeve të riintegrimit, përfshirë eksesin në shërbimet e shëndetit mendor për viktimat dhe edukimin për fëmijët e viktimizuar në mënyrë të veçantë. Duhet punuar për forcimin e sistemeve mbrojtëse, krijimin e mundësive sociale-ekonomike dhe mundësive të tjera të jetesës si dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik mbi të gjitha format e trafikimit të personave si dhe pasojat e shkaktuara prej tij. Duhet të rritet besimi i viktimave te drejtësia që t’i denoncojnë trafikantët dhe ata të marrin ndëshkimin e merituar”, tha ndër të tjera Presidenti Meta.