Një trafikant shqiptar i qenieve njerëzore u dënua me burg në Britaninë e Madhe. Siç shkruan BBC, hetuesit e Agjencisë Kombëtare kundër Krimit, NCA, besojnë se Eglantin Doksani, 24 vjeç, mund të jetë përgjegjës për transportimin e qindra personave në Kanalin Britanik në 2022-n, me varka të vogla.
Ata e identifikuan të riun shqiptar si një prej ortakëve të Hewa Rahimpur, lideri i një prej bandave të trafikut të qenieve njerëzore.
Doksani u shpall fajtor për 7 akuza, përfshirë lehtësimin e emigracionit të paligjshëm dhe u dënuan me 9 vite e 9 muaj burg nga gjykata e St Albans të mërkurën.
Iraniani Rahimpur, për të cilin policia beson se qëndronte pas një rrjeti që futi 10 mijë njerëz nëpërmjet varkave të vogla në Mbretërinë e Bashkuar, u dënua me 11 vjet burg në Belgjikë, vitin e shkuar.
NCA tha se Doksani vepronte si agjent për emigrantët, duke u ndërmjetësuar vende në varkat që operoheshin nga rrjeti i Rahimpur dhe të tjerë.
Bisedat në WhatsApp të gjetura në telefonin e Rahimpur tregonin diskutime për njerëzit që Doksani donte të dërgonte në Britani.
Në një mesazh, Doksani i thoshte Rahimpur-it: “Të lutem përpiqu të bësh diçka nesër për të çuar çunat, sepse kam 10 njerëz të tjerë që presin për mua. Paratë në dorë”.
Në një tjetër, ata diskutonin pagesat, me Doksanin që thoshte: “Herën tjetër vllai, më mirë po i bëj të gjithë bashkë. 10 veta për 30 mijë paund”.
Oficerët e NCA e arrestuan Dokanin në apartamentin e tij në Isle of Dogs, në lindje të Londrës, në Korrik të 2022-t. Teksa i afroheshin shtëpisë një çantë fluturoi nga dritarja, në të cilën më vonë u zbulua se kishte kokainë.
Ai u la në liri me kusht, ndërkohë që hetimet vijonin. U arrestua sërish në Cheshunt, Hertfordshire, pasi u zbuluan prova të tjera për aktivitetin e tij kriminal.
Doksani u dënua po ashtu për mashtrim, pastrim parash e akuza të tjera që lidheshin me drogën. Ai përballet me deportim pas lirimit të burgu.
“Nuk do ta marrim vesh kurrë sa njerëz ka mundur të trafikojë, por me gjasë janë me qindra”, tha një zyrtar i NCA për 24-vjeçarin shqiptar.