Prokuroria e Posaçme me anë të një njoftimi zyrtar ka zbardhur detaje bënë lidhje me operacionin ndaj një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikimi të qenieve njerëzore, me anë të falsifikimit të dokumentave dhe vizave.
SPAK njofton se janë lëshuar masa sigurie për 31 persona, mes të cilëve edhe një punonjës policie.
Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, por edhe ato të Kosovës.
Sipas njoftimit nga SPAK, ky grup kriminal, dyshohet se ndihmonte në kalimin e paligjshëm për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentave të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.
Njoftim i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve të zhvilluara në lidhje me procedimin penal me nr.177, të vitit 2022, në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, ka kërkuar caktimin e masave të sigurimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila me vendimin e saj nr. 54, datë 06.06.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për 31 persona nën hetim, të cilët janë organizatorë, drejtues dhe pjesëtarë të grupeve kriminale, përfshirë dhe një punonjës i strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale për gjashtë persona, të dyshuar për kryerje të veprave penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Falsifikimi i dokumentave” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, parashikuar nga nenet 298/2 e 28/4; 189/1 e 28/4; 333/a dhe 334/1, të Kodit Penal, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal.
Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal janë realizuar në bashkëpunim me Autoritetet Spanjolle, Kosovare dhe nën mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe strukturat e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Në interes të hetimeve të këtij procedimi penal, është ngritur një Skuadër e Përbashkët Hetimore me autoritetet gjyqësore të Tarragonës, Spanjë, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale edhe me autoritetet ligjzbatuese të vendeve të tjera është bërë e mundur identifikimi dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale të disa grupeve kriminale të lidhura me dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të shtetasve shqiptarë me qëllim udhëtimin e tyre drejt Mbretërisë së Bashkuar, Amerikës dhe Kanadasë.
Përgjatë hetimeve janë përdorur përveç të tjerave, edhe metodat speciale të hetimit nëpërmjet të cilave është dokumentuar veprimtaria kriminale, e cila ka konsistuar:
– në prodhimin e dokumentave te falsifikuara të identifikimit, kryesisht të dokumentave të vendeve të Bashkimit Europian (pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi e dokumenta të tjera), në gjetjen apo ndërmjetësimin e shtetasve shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, në transportimin e personave ashtu edhe të dokumentave të falsifikuara kryesisht në shtetin e Spanjës, në akomodimin dhe udhëzimin e këtyre shtetasve mbi itinerarin që do ndiqnin, të realizuar nga dy agjensi udhëtimi deri në vëzhgimin në aeroport të tyre për tu siguruar nëse ata arrestoheshin apo arrinin të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar.
-në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm nëpërmjet manipulimit të procesit të aplikimeve për viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, nëpërmjet përdorimit të dokumentave të falsifikuara, udhëzimit të personave se si të sillen gjatë procesit të intervistave apo në aeroport.
Në këtë veprimtari kriminale personat nën hetim sigurojnë proceset e ndryshme të saj, njohin njëri-tjetrin, dhe dinë për rolin e secilit prej tyre, rrethana të cilat të tregojnë se veprimtaria është e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me detyra dhe role të caktuar, qëllimi i së cilës është përftimi material.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë ekzekutuar deri më tani 32 masa sigurimi personal për personat nën hetim, ndërkohë që për pesë personat e tjerë nën hetim po bëhen kërkimet përkatëse.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar sendet që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale apo sende që përbëjnë produkt të veprës penale, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumentave, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumenta të tjera me rëndësi për hetimin.
Hetimet vazhdojnë në lidhje me ekzekutimin e masave të sigurimit për personat e tjerë nën hetim, si dhe grumbullimin dhe sigurimin e provave për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust dhe projektit EU4FAST, për mbështetjen e dhënë në kuadër të hetimit të përbashkët hetimor!