Rastet e trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë dhe porteve të tjera të Europës, ka bërë që Policia e Shtetit të organizojë një konferencë pikërisht për këtë problem, ku i ftuar ka qenë edhe koloneli Gelber Gernando Cortes Rueda nga Policia Kombëtare Kolumbiane.
Gjatë diskutimit në këtë takim, u theksua rëndësia e rritjes së aksioneve të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese në të gjithë botën për të goditur krimin e organizuar dhe trafikun e drogës e kontrabandimin e qenieve njerëzore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shtetit Ardi Veliu, Drejtor i INL Juliet Craven dhe Agjenti Special i DSS, gjatë fjalës së tyre nënvizuan rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare për zbatimin e ligjit, pasi krimi nuk njeh kufi, por synon të shtrijë tentakulat dhe të veprojë kudo.
Kjo konferencë u organizua me mbështetjen e Byrosë Ndërkombëtare të Luftës Kundër Narkotikeve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe me koordinim të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) Zyra e Hetimeve Kriminale.
Trafiku i kokainës nga vendet latine, e sidomos nga Kolumbia, është bërë një fenomen shqetësues edhe për vendin tonë. Rasti i fundit i trafikimit të kokainës përmes bananeve ishte në muajin Shtator, që u zbulua gjatë një aksioni të përbashkët mes DEA-s amerikane, Policisë Greke dhe Policisë Shqiptare.