21 të vdekur, mes tyre dy janë fëmijë, 12 të plagosur dhe disa të zhdukur. Ky është bilanci i tragjedisë në Itali ku një autobus, me shumë persona në bord ka rënë nga mbikalimi në Mestre, Venecia, duke përfunduar në shinat e trenit, që ndodhen ngjitur me rrugën.
Dinamika e ngjarjes së rëndë, që ndodhi rreth orës 19:30, nuk dihet ende. Autobusi ra nga të paktën 30 metra lartësi.
Autobusi ishte marrë me qera nga disa turistë, shumë të huaj dhe ndodheshin në një kamping në Marghera kur u rrëzuar nga të paktën 30 metra lartësinë Mestre.
Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbime të shumta zjarrfikëse, ambulanca dhe policia. Po ashtu, në gjendje gatishmërie janë vënë të gjitha spitalet që ndodhen pranë.
Ndërkohë, kryeministrja Giorgia Meloni në një reagim shprehu ngushëllimet e saj më të thella dhe tha se po i ndiqte nga afër të gjitha zhvillimet.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të thella, personale dhe të gjithë qeverisë, për aksidentin e rëndë të ndodhur në Mestre. Mendimet shkojnë tek viktimat dhe familjarët e miqtë e tyre. Jam në kontakt të afërt me kryebashkiakun Luigi Brugnaro dhe ministrin Matteo Piantedosi për të ndjekur zhvillimet mbi këtë tragjedi”.
Edhe kryebashkiaku i Venecias Luigi Brugnaro e cilësoi ngjarjen një tragjedi të madhe, ndërsa skenën e përshkroi si apokaliptike.
“Një tragjedi e madhe ka goditur mbrëmjen e sotme komunitetin tonë. Kam caktuar menjëherë zinë qytetare, në nder të viktimave të shumta që ndodheshin në autobusin e rënë. Një skenë apokaliptike, nuk ka fjalë për ta përshkruar”, tha ai.
Ndërkohë presidenti Sergio Mattarella raportohet se telefonoi menjëherë kryebashkiakun e Venecias, për t’i shprehur atij ngushëllimet për aksidentin tragjik.