Bota Tragjedi në Rusi, rrëzohet avioni dhe vdesin 16 persona

Tragjedi në Rusi, rrëzohet avioni dhe vdesin 16 persona

Një aeroplan me të cilin udhëtonin më shumë se 20 parashutistë është rrëzuar sot pranë qytetit Menzelinsk në Republikën e Tatarstanit të Rusisë. Mediat vendase bëjnë me dije se 16 persona kanë vdekur, duke përfshirë dhe 2 pilotë dhe 7 të tjerë janë plagosur.

Një zyrtar i Ministrisë së Emergjencave tha për mediat se avioni L-410, i cili i përkiste një klubi ajror lokal, ra në tokë menjëherë pas ngritjes. Trupi i tij u shkatërrua nga goditja, ndërsa pjesa e bishtit mbeti kryesisht e paprekur.

Modeli L-410 është një avion transporti me rreze të shkurtër me dy motorë, i cili është prodhuar në Republikën Çeke që nga fillimi i viteve 1970.

Në shtator, një avion i ngjashëm u rrëzua në Rajonin Irkutsk në Siberinë juglindore. Katër persona u vranë dhe 12 të tjerë u plagosën.