Një shpërthim në një minierë qymyri në provincën veriore Bartin të Turqisë të premten shkaktoi vdekjen e 41 vetëve, tha të shtunën Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu, duke shtuar se po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit për një minator që nuk është gjendur.
Ai tha se 58 nga 110 personat që punonin në minierë kur ndodhi shpërthimi u shpëtuan nga ekipet ose dolën vetë.
“Aty vazhdon ende zjarri, minatorët dhe ekipet kanë bërë sakrifica të mëdha për të mos lënë vëllezërit e tyre atje,” tha zoti Soylu në minierë.
Ministri i Energjisë Fatih Donmez tha më vonë se zjarri në minierë ishte vënë përgjithësisht nën kontroll, por përpjekjet për izolimin e tij po vazhdonin pas incidentit që ndodhi 350 metra nën tokë.
Soylu tha se një minator u lirua nga spitali ndërsa 10 ishin ende duke marrë trajtim në Bartin dhe Stamboll.
Autoritetet thanë se prokurorët turq kanë nisur një hetim për shkakun e incidentit, por sipas të dhënave fillestare shpërthimi ishte shkaktuar nga metani në minierë.
Në vitin 2014, 301 punëtorë u vranë në fatkeqësinë më të rëndë ndonjëherë në minierat e Turqisë në qytetin perëndimor të Somas, 350 km në jug të Stambollit.