Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Itali. Një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare, të cilët jetonin së bashku, u gjetën të vrarë me thikë në shtëpinë e tyre në Spinea në Venecia.
Zbulimi i trupave është bërë nga karabinierët, të cilët u lajmëruan nga vajza e gruas, e cila nuk kishte mundur të kontaktonte me të ëmën që pasdite. Fillimisht, u mendua se ishte një rast vrasje-vetëvrasjeje, por më pas u zbulua një vrasje e dyfishtë.
I dyshuari kryesor është ish-bashkëshorti i saj, i cili u gjet i vetëvrarë në një magazinë Oriago di Mira, në zonën e Venecias, ku ai punonte.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, gruaja Mynevere Karabollaj, 37 vjeçe, e njohur si “Vera”, ishte zhvendosur disa vite më parë me bashkëshortin e saj, gjithashtu shqiptar, në një shtëpi në Spinea. Dy vite më parë burri ishte larguar nga shtëpia dhe në shtëpi Vera kishte filluar të jetonte me një bashkatdhetar, Flonino Merkuri, 24 vjeç.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit gjetën një armë zjarri dhe një thikë. Dy bashkëjetuesit morën plagë vdekjeprurëse me thikë. Ndërhyrja e policisë në shtëpi ka ndodhur rreth orës 22:00 të së dielës.