Tragjike është ngjarja e së mërkurës pasdite kur Demokrat Demiraj, për shkaqe që duket se do të mbeten të pazbardhura, vrau me thikë bashkëshorten e tij.
Ai e goditi Irvana Hykën dhjetëra herë me thikë, duke i marrë jetën. Ngjarja ndodhi në shtëpinë e familjes në fshatin Sheq i Madh të Fierit. Çifti i bashkëshortëve kishin dy fëmijë të vegjël të moshës 4 dhe 6 vjeç, ndërsa nëna e re ishte 6 javëshe shtatzënë.
Pas krimit, Demokrat Demiraj u largua nga shtëpia, për t’u gjetur i pajetë paraditen e kësaj të enjteje. Trupi i tij u gjet nga policia rreth orës 10:20 në fushën e mbetjeve në Fier.
Paraprakisht, dyshohet se 29-vjeçari i dha fund jetës duke u vetëvarur. Megjithatë do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë shkaqet e sakta.
Në fshatin Ferras, aty ku jeton familja e 28-vjeçares Irvana Hyka mëngjesin e kësaj të enjteje u hapën dyert e mortit. Për gazetarët, familjarët e saj thanë se nuk kishin dijeni që mes çiftit të kishte pasur probleme.
Ndërsa familjarët e Demirajt deri më tani nuk kanë pranuar të flasin.