Tragjedia që i ka ndodhur familjes Hyseni i kalon përmasat njerëzore. Anjeza dhe Ardian Hyseni humbën pas aksidentit në Reggia Emilia tre fëmijët dhe nipin. Dhimbja për ta është e padurueshme. Kjo ngjarje shumë e rëndë ka marrë vëmendjen e mediave italiane, të cilat janë duke e ndjekur familjen shqiptare hap pas hapi.
Il Resto del Carlino, shkruan se britmat e Anjeza Hysenit dëgjohen në të gjithë morgun. Janë fjalë që të prekin zemrën dhe shpirtin. Klithma që tregojnë se humbja e tre fëmijëve dhe nipit është një dhimbje që nuk mund as të imagjinohet.
Ardian dhe Anjeza Hyseni kanë përpara katër arkivole të bardha para syve, të gjitha të rreshtuara në një dhomë në morgun Coviolo. Aty prehen Shane, 22 vjeçe, me djalin Mattias, 2 vjeç, djali i vogël Resati, 11 vjeç dhe Rejana, 8 vjeçe. Të gjithë ishin viktima të një aksidenti të frikshëm mbrëmjen e 30 Tetorit. Makina që u drejtonte nga bashkëshorti i 22-vjeçares, Orjol Lame, doli nga rruga dhe u përplas me një shtëpi të pabanuar. I vetmi i mbijetuar nga kjo tragjedi është Lame, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Jashtë morgut ndodhet të afërm të familjes Hyseni. Ata janë mbledhur rreth Anjezës, për ta mbështetur, për ta ngushëlluar, për ta qetësuar. Por siç shkruajnë mediat italiane ajo dëgjohet vetëm të bërtasë në shqip. “Nuk dua të jetoj më kështu…”, thotë ajo. Një fjali që të prek zemrën. Dy ditë më parë u shtrua në spitalin e Parmës për shkak se u sëmur pasi mori lajmin tronditës. Të martën në mëngjes kërkoi me çdo kusht që të ishte në morg, për të parë për herë të fundit fëmijët. Por kjo do të ishte akoma më e rëndë për Anjezën.
Ajo nuk mund të qëndrojë dot në këmbë. Të afërmit e kanë marrë disa herë në makinë, por për gruan nuk ka paqe. Ajo ka zbritur nga mjeti dhe ka vrapuar përgjatë një rruge të brendshme në varreza duke u hedhur mbi një makinë. Për fat të mirë, mjeti nuk ishte në lëvizje. Familjarët përpiqen që ta qetësojnë. Sipas asaj që raportohet ka qenë e nevojshme ndërhyrja e një ambulance me staf mjekësor që t’i jepte gruas qetësues.
Nga ana tjetër, Ardiani mundohet të jetë më i fortë. Ai mundohet të qetësojë gruan. Disa miq italianë dërgojnë buqeta me lule. Familja preferon thjeshtësinë. Në hyrje të shtëpisë së funeralit është vendosur një libër ku mund të lihen kujtimet. Por më shumë rëndësi për ta tashmë ka ngrohtësia njerëzore. Ndoshta është e vetmja gjë që mund të lehtësojë sadopak dhimbjen që ndjejnë në zemër.
Trupat e pajetë do të qëndrojnë në Coviolo deri në nisjen për në Durrës. Ardiani dhe Anjeza do t’i varrosin fëmijët dhe nipin në vendlindje, sipas riteve islame. Deri më tani nuk është plotësuar dokumentacioni. Por fluturimi për riatdhesim, me ndihmën e ambasadës shqiptare, pritet të realizohet sonte në mbrëmje ose nesër.