E diela e 5 marsit do të jetë ditë zie në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama ndërsa dha lajmin, tha se vendimi është marrë për të nderuar viktimat e tragjedisë në Greqi si pasojë e përplasjes së dy trenave.
“Ditën e diel Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysëm shtize”, shkroi Rama.
Ndër të tjera kreu i qeverisë shprehet se tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë si shtet fqinj.
“Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe tek fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin”, shkruan Rama.
57 persona kanë humbur jetën nga aksidenti tragjik hekurudhor që ndodhi të martën në Greqi, i cili është më i rëndi në historinë e vendit. Numri i viktimave pritet që të rritet pasi autoritetet thonë se 56 persona rezultojnë të zhdukur.