Tragjedia që ndodhi një ditë më parë në Potam të Himarës ka shkaktuar një indinjim të qytetarëve për humbjen e jetës së Jonadës 7-vjeçare, dhe për sigurinë e pakët që kanë qytetarët madje dhe në zonat ku shkojnë për të pushuar.
Një marshim homazh për vogëlushen që humbi jetën në Potam u mbajt në zonën turistike të Shëngjinit.
Dioqeza e Rrëshenit, në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile në Kurbin e Lezhë bënë homazhe duke ndezur qirinj e hedhur lule në bregdetin e Shëngjinit në përkujtim të 7 vjeçares.
Ky marshim nga kisha e Shëngjinit deri në afërsi të portit, ishte edhe një protestë e heshtur ndaj ngjarjeve të tilla që nuk kanë qenë të pakta në bregdetin tonë.
Dom Gjergj Meta ishte i pari që bëri thirrjen për këtë homazh, ndërsa tha se vogëlushja humbi jetën si pasojë e papërgjegjshmërisë së institucioneve.
Ishte Lejla, një vajzë 6 vjeçe, në moshën e Jonadës së vogël që ka hedhur e para lulet në det dhe më pas të gjithë qytetarët pas saj, duke ndezur edhe qirinjtë.
Dom Gjergj Meta tha se në lutjen e tyre në qetësi për familjen që humbi fëmijën e saj janë mijëra shqiptarë që u hidhëruan, trishtuan dhe u solidarizuan për këtë ngjarje dhe gjithçka është një homazh për ta.