Gjykata e Vlorës ka caktuar ditën e premte më 5 gusht ora 10:30 për të zhvilluar seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj ish shefit të komisariatit të Himarës Arjan Tase. Ai akuzohet për ngjarjen tragjike të 2 gushtit në plazhin e Potamit në Himarë, ku si pasojë e përplasjes me gomonen që drejtonte Tase, humbi jetën një vajzë 7-vjeçare.
Gjithashtu në të njëjtën ditë priten të vlerësohen edhe masat e sigurisë ndaj 15 efektivëve të policisë kufitare të Vlorës të cilët për të njëjtën ngjarje janë shkarkuar me motivacionin për moskryerje të detyrës. Për Arjan Tasen, deri më tani është bërë publike akuza e ngritur nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila e klasifikuar ngjarjen si një vrasje nga pakujdesia, e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg.
Por burime pranë prokurorisë së Vlorës e cila ka marrë tashmë në dorë hetimet shprehen se në varësitë dëshmive, dinamikës së ngjarjes, pamjeve filmike si dhe natyrisht dëshmive të personave prezentë në vendngjarje si dhe vetë drejtuesit të gomones, Tase, nuk përjashtohet mundësia edhe të ndryshimit të akuzës. Kjo me argumentimin se pavarësisht faktit, që ish-punonjësi i policisë Tase nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës fatale ndaj 7-vjecares, provat flasin se ai është futur me vetëdije të plotë në një zonë ku nuk duhej të qarkullonin mjete detare me motorë.
Për këtë arsye, ndaj Tases hetuesit po analizojnë edhe ngritjen e akuzës për vrasje me dashje në mënyrë indirekte. Gjithsesi, seanca e së premtes pritet të qartësojë akuzën zyrtare për momentin ku ndodhën hetimet. Ndërsa ndaj punonjësve të policisë kufitare të shkarkuar pas ngjarjes, është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.