Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen ditën e djeshme.
Të arrestuarit janë 67-vjeçari me inicialet F.P., me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit dhe 41-vjeçari A.Z., me detyrë manovrator.
Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç.