Aktualitet Tragjedia shqiptare në Australi/ Mesazhet e ndjera të miqve të çiftit që...

Tragjedia shqiptare në Australi/ Mesazhet e ndjera të miqve të çiftit që u vra nga babai i 25-vjeçares

Vrasja e Lindita Musait dhe bashkëshortit të saj më 31 dhjetor ka marrë vëmendjen e mediave në të gjithë  botën.

Paraditen e 31 dhjetorit, në përvjetorin e parë të martesës së çiftit me origjinë nga Struga e Maqedonisë dhe me banim prej vitesh në Melburn të Australisë, babai i 25-vjeçares ka lënë të vdekur me armë zjarri të bijën dhe dhëndrin, Vetonin 29-vjeç.

Mediat vendase raportojnë se pas aktit të rëndë, Osman Shaptafaj ka shtënë edhe mbi veten dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe survejimin e oficerëve të policisë. Ende nuk dihen detaje nga kjo tragjedi e rëndë në familjen shqiptare, ndërsa miqtë e familjarë kanë mbetur të pikëlluar nga largimi para kohe i tyre.

Osman Shaptafaj

Ata e përshkruajnë çiftin e ri si shumë të dashuruar, të qeshur dhe gazmorë. Në rrjetet sociale janë me dhjetëra mesazhet e ngushëllimit për dy të rinjtë, të cilët u vranë pabesisht nga 55-vjeçari.

“Pushofshi në paqe, në duart e Zotit… Shpresoj të bashkoheni në kopshtin e tij. Ky ishte një lajm shumë i rëndë për komunitetin tonë. Zemra ime është e copëtuar…”

Dy vite më parë çifti u fejua dhe një vit më parë kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre. Familja e re e Linditës dukej e lumtur me praninë e saj, ndërsa nëna e Vetonit nuk nguronte të shprehte krenarinë dhe gëzimin që ndjente për familjen dhe tre djemtë e saj.

“Familja ime e bukur, i dua më shumë se jetën. Jemi prindërit më krenarë!”

Sipas mediave vendase Lindita punonte në një agjenci të pronave të patundshme, Colliers International, ndërsa Vetoni punonte në National Australia Bank.