Klodiana dhe Alfredi kishin rreth 17 vjet që jetonin në Itali. Ajo ishte me origjinë nga Fushë-Kruja, me mbiemrin e familjes Rahmani, ndërsa 45-vjeçari Alfred Vefa ishte me origjinë nga Preza e Tiranës. Të martuar thuajse prej 20 vitesh, ishin prindër të dy fëmijëve adoleshentë dhe aktualisht ata jetonin në komunën e Castelfiorentino të Firences.
Dikur të dashuruar, siç edhe mund të dallohet lehtësisht nga postimet e të dyve në rrjetet sociale, sot Klodiana nuk jeton më.
Ndërsa bashkëshorti i saj Alfredi është në arrati, pasi akuzohet se mbrëmjen e së enjtes i mori asaj jetën, duke e ekzekutuar me armë zjarri në mes të rrugës.
Nga ajo që raportohet deri më tani në mediat italiane, Klodiana dhe Alfredi po ndaheshin. Mes tyre thuhet se kohët e fundit kishte debate të shumta, me në qendër xhelozinë e bashkëshortit.
Klodiana punonte në një piceri të zonës, si kamariere. Ajo ishte tepër aktive në rrjetet sociale, e apasionuar pas fotove dhe një person që duket se kishte krijuar shumë miq aty ku jetonte. Postimi i saj më i fundit daton vetëm 5 ditë më parë, ku ajo shfaqej elegante teksa kishte dalë për një mbrëmje jashtë.
Ndonëse jo gjatë kohëve të fundit, edhe postimet me bashkëshortin gjenden ende aty. Në shumë prej tyre ata i shprehin dashurinë njëri-tjetrit, e madje kanë bërë edhe tatuazhe për njëri-tjetrin.
Momentalisht mbetet e paqartë se çfarë çoi marrëdhënien e tyre deri në pikën sa të përfundonte në tragjedi.
Të paktën 3 plumba pistolete u qëlluan në drejtim të 36-vjeçares, pak para orës 20:00 të së enjtes. Një prej tyre ishte fatal për Klodianën, e cila gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes. Vrasja ndodhi pak metra larg shtëpisë ku jetonte shqiptarja. Më herët sipas mediave italiane, në derë të shtëpisë kishte trokitur Alfredi, i cili nuk jetonte më me familjen e tij. Palët ishin përfshirë në një zënkë dhe kishin dalë jashtë.
Minuta më vonë u dëgjuan të shtënat. Fëmijët dhe familjarë të gruas vrapuan jashtë duke e gjetur atë të vrarë. Ndërsa Alfredi dyshohet se u largua me makinën e tij Golf bashkë me armën e krimit. Ai vijon të jetë ende në arrati.